Shifra shqetësuese të aksidenteve në trafik

Ditëve të fundit vërehet një rritje e rasteve të aksidenteve të trafikut në rrugët e Kosovës. Policia ka njoftuar sot se vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 73 aksidente trafiku në gjithë territorin e vendit.
Një aksident ka përfunduar me pasoja fatale, 27 me persona të lënduar dhe 45 aksidente të tjera me dëme materiale, transmeton IndeksOnline.
Aksidenti fatal ka ndodhur rreth orës 12 e 45 minuta në fshatin Konjuh të Lipjanit, ku ka humbur jetën një i ri nga komuna e Shtimes.
“Raportohet se në rrugën Prishtinë-Ferizaj, në fshatin Konjuh të Lipjanit, ka ndodhur një aksident trafiku në mes një veture dhe një kamioni me targa vendore. Si pasojë e aksidentit, pasagjeri i cili ka qenë në kamion, ka ndërruar jetë ndërsa lëndime ka pësuar drejtuesi i veturës. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ndërsa rasti po vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftimin e policisë.
Përveç numrit të lartë të aksidenteve, vërehet edhe numër i madh i gjobave të shqiptuara ndaj gjithë atyre që kanë thyer rregullat në komunikacion, ku vetëm brenda së martës, zyrtarët policor kanë gjobitur 2 389 persona./IndeksOnline/