Shifrat që tregojnë se Cikalleshi është “bomberi” i Kombëtares

Politika, e njërit apo tjetrit kamp, nxiton të publikojë një foto me të, të gjithë duan pak nga popullariteti i Sokol Cikalleshit. Është heroi i ndeshjes ndaj Bjellorusisë me dy gola të shënuar për të siguruar kreun e grupit dhe një “happy end” të këtij edicioni të Nations League, një “kapak i artë” i një fushate që 30-vjeçari i vë jo vetëm këtij edicioni. Ndonjëherë i snobuar, me apo pa arsye, ndonjëherë madje edhe i goditur, nuk ka folur kurrë, është përgjigjur në fushë me atë që di të bëjë më mirë, me shifrat në dorë. Është njeriu-gol i Kombëtares Shqiptare.
4 gola në këtë edicion të Nations League. Shifrat në faqen e UEFA-s e nxjerrin si golashënuesin e katërt më të mirë të kompeticionit në gjithë Europën. Vetëm dy gola më pak se fenomeni i momentit, Erling Halaand, një më pak se njeriu kryesor i Belgjikës dhe Interit, Romelu Lukaku. Një “hall of fame” i stërmerituar nga lojtari kavajas.
Shpërthimi i Cikalleshit është akoma më fantastik nëse merr parasysh dyvjeçarin e fundit. Një kërcim galopant për një marrëdhënie të jashtëzakonshme me portën, plot 8 gola të shënuar me fanellën kuqezi në 9 ndeshje të luajtura këto dy vitet e fundit. Një mesatare vërtet e frikshme për çdo “bomber” të nivelit botëror me fanellën e përfaqësueses. Një rritje kjo që e ka konfirmuar Cikalleshin një ndër sulmuesit më të mirë të historisë me fanellën e Shqipërisë.
Aktualisht ndodhet në kuotën e 10 golave me fanellën e Kombëtares në 37 ndeshje, ka arritur Igli Taren, që për të shënuar të njëjtën shifër i janë dashur 68 ndeshje, duke barazuar dhe një legjendë të gjallë të futbollit shqiptar, Sokol Kushtën. Me fizikun që i lejon edhe disa vite të tjera për të luajtur, me këtë ritëm tani synon rekordin historic, atë të Erjon Bogdanit, nga i cili e ndajnë vetëm 6 gola.
Faktet janë kokëforta dhe Cikalleshi flet me to, paçka se ndonjëherë e kanë bërë “kokë turku”, si Panucci, që e dënoi në ditën kur po nënshkruante kontratën e jetës në Turqi, apo edhe një farë indiferentizmi nga Reja, që nuk e grumbulloi në muajin tetor. Ai është aty, duke shënuar. Shifrat imponojnë respekt për Cikalleshin.