“Shitja e armës për vrasjen e Liridonës nuk krahasohet me asnjë rast”, thotë avokati i familjes Ademaj
Avokati i familjes së të ndjerës Liridona Ademaj, Leutrim Syla, ka deklaruar se dënimi prej 5 vjetësh dhe 5 mijë euro gjobë ndaj të akuzuarit Tom Dodaj për shitjen e armës me të cilën u vra Liridona Ademaj, nuk mund të konsiderohet i lartë.
Syla ka theksuar se nuk ka raste të ngjashme në praktikën gjyqësore që mund të shërbejnë për krahasim.
“Shitja e armës për vrasjen e Liridona Ademajt unë konsideroj që nuk mund të krahasohet me shitjen e një armë siç ndodhë rendomë. Si rrjedhojë edhe nuk mund të kemi një krahasim gjyqësor për matjen dënimit dhe për të gjetur një analogji për matjen e dënimit në raste të ngjashme sepse nuk ka një rast të ngjashëm”, ka thënë avokati në emisionin FIVE.
Ai ka shtuar se gjykata ka vendosur një dënim pak më shumë se gjysma e maksimumit të parashikuar ligjor, duke mos shkuar nën minimum dhe jo deri në 8 vjet sa është maksimumi ligjor.
Seanca e Gjykatës së Apelit ndaj Tom Dodajt u mbajt këtë të mërkurë, ku prokuroria kërkoi vërtetimin e dënimit, ndërsa mbrojtja kërkoi zbutjen e tij.

