16:57 / E Enjte, 17 Shtator 2020 / indeksADMonline

Shkaktarët e dhimbjes së qafës

Për të trajtuar në mënyrë efektive dhimbjen e qafës, është e rëndësishme të kuptojmë shkakun mjekësor të kësaj dhimbje. Në këtë postim do ti sqarojmë shkaktarët e dhimbjes akute dhe kronike të qafës, si dhe dallimet mes tyre.

Shkaktarët e zakonshëm të dhimbjes akute të qafës – shkaktarë më të zakonshëm të dhimbjes së qafës janë tendosjet e muskujve dhe ligamenteve. Këto tendosje shkaktohen kryesisht nga mbingarkesa dhe tejzgjatja në rastet si:
• Postura e keqe – qëndrimi në pozitë të keqe për një kohë të gjatë, duke punuar në kompjuter ose telefon shkakton tension në qafë.
• Fjetja në pozitë të keqe – nëse koka dhe qafa mbahen në pozitë të keqe gjatë natës, dhimbja e qafës mund të jetë prezente në mëngjes.
• Lëvizjet e përsëritura – lëvizjet e përsëritura të kokës, nga njëra anë në tjetrën mund të çojnë në mbingarkesë të muskujve, tetivave dhe ligamenteve të qafës.
• Trauma – rastet si rrëzimet, goditjet në sport, aksidentet me veturë etj.

Shkaktarët e zakonshëm të dhimbjes kronike të qafës – nëse dhimbja zgjatë ose përseritet në periudhë prej disa muajve, atëherë ka si shkaktar ndryshimet degjenerative spinale (spondilloza cervikale)
• Sëmundja degjenerative e diskut (DDD) – të gjitha disqet spinale me kalimin e kohës gradualisht humbin hidratimin dhe butësinë. Te disa persona kjo mund të çoj në probleme si hernia diskale, irritimi i nervit, ndryshime në nyje (osteoartriti).
• Osteoartriti cervikal – kur kërci i nyjeve të qafës dëmtohet shkakton osteoartritin cervikal, që është një prej shkaqeve më të zakonshme të dhimbjes së qafës.
• Hernia diskale cervikale – kur pjesa e jashtme mbështjellëse (annulus fibrosus) e diskut çahet , pjesa e brendshme xhelatinoze (nucleus pulposus) del jashtë dhe mund të shkaktojë inflamacion dhe dhimbje.

Shkaktarët tjerë të dhimbjes së qafës –
• Stresi emocional.
• Infeksionet.
• Sindroma e dhimbjes miofasciale.
• Fibromialgia
• Tumoret spinale
• Spondilolisteza.

Nëse keni ndonjë ose më shumë nga simptomat më lartë, rekomandohet të konsultoheni me profesionistët përkatës shëndetësor.

Arbër Klinaku
Fizioterapeut