11:09 / E Enjte, 26 Nëntor 2020 / Blerim

Shkarkimi i konsujve, vjen reagimi i ashpër i Isni Kilajt: U.D-ja po bënë politikë, ajo nuk na përfaqëson të gjithëve

Emërimi i Flakron Shalës si konsull i përgjithshëm në Pragë, ngjalli reagime të shumta, pasi që ai është djali i deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haxhi Shala.

Derisa, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, dje gjatë ditës, përmes një postimi të bërë në Facebook, tha që për këtë emërim është njoftuar nga mediat dhe është bërë pa koordinim me të, u.d. të presidentes, Vjosa Osmani mbrëmë mori veprime konkrete.

Kjo e fundit, shfuqizoi katër dekrete për katër konsuj të përgjithshëm, saktësisht për ata në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Ndër të shkarkuarit nga Osmani, është edhe Bledi Kilaj, i cili ishte emëruar konsull i përgjithshëm në Lubjanë, edhe ky njëri nga fëmijët e ish-zëvëndësministrit të Diasporës dhe njëherësh ish-kryetarit të Malishevës nga radhët e PDK-së, Isni Kilaj.

Ky i fundit në një përgjigje për IndeksOnline, ka komentuar vendimin e fundit të Osmanit, për të cilën thotë se po bën politikë dhe se u.d. e presidentes nuk përfaqëson popullin e Kosovës.

“UD-ja po ban politikë! Ajo anuloi 4 dekrete të 4 familjeve patriotike që kanë dhënë shumë për lirinë e Kosovës- shiko Halim Krasniqi vëlla i Xheva Krasniqit-Lladroci. Janë edhe intelektualë e profesionistë të gjithë të larguarit. Edhe djali im nuk ka qenë asnjë ditë në punë sipas atij dekreti.

Ai dekret ka kohë që ka dështuar! U.d. e presidentes nuk na përfaqëson të gjithë popullin e Kosovës”, ka thënë ai.

Reagim pas shkarkimit të djalit të tij, pati edhe deputeti i AAK-së, Haxhi Shala. Por, këtë e bëri në mënyrë indirekte.

Në orët e para mëngjesit të sotëm, me rastin e ditëlindjes së djalit të tij, ish-konsullit të shkarkuar, ende pa marrë mirë detyrën, Shala, pati një urim për të, por edhe disa fjalë për Vjosa Osmanin.

“Flakron biri im kur ti linde para 25 vjetësh unë jetoja refugjatin dhe Kosova lëngonte nga robëria serbe. Sonte kur ti Flakron dhe Kosova jeton lirinë, lirinë tënde dhe të Kosovës po e njollosin fundrrinat e ngjitura në kulmin e shtetit. Flakron flakro kudo qe je me dashurinë për atedheun tonë Kosoven! Urime ditëlindja!”, ka shkruar deputeti që iu bashkua AAK-së, pas formimit të Qeverisë së Hotit./IndeksOnline/