Shkarkimi i Krasniqit, vjen reagimi nga Lladrovci
Memli Krasniqi gjatë ditës së sotme pritet të jap dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së.
Lidhur me këtë ka reaguar kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Ai përmes një postimi në rrjetin social ka bërë të ditur se Partia Demokratike është vet liria dhe shteti i Kosovës.
Ai madje ka propozuar që kryetar i PDK-së të jetë Bedri Hamza.
Postimi i plotë:
Partia Demokratike është vet liria dhe shteti i Kosovës!
Përgëzoj strukturat e PDK-së për mbështetjen që ma kanë dhënë në çdo situatë, me besimin e plotë se do të bëhet mirë. Falënderim i veçantë shkon për qytetarët e komunës së Drenasit, të cilët besuan në zotimin tim se s’ka bir nane që më largon nga PDK-ja.
Besimi im në sinqeritetin e anëtarësisë, ashtu dhe udhëheqësve të PDK-së, ka qenë i madh. Ky hap i pritshëm i kryetarit të deritashëm, Memli Krasniqi do përshëndetur, njëherësh, duke i ofruar fuqishëm përkrahje kryetarit në ardhje, Bedri Hamza.
Të jesh lider i partisë që buroi nga Drejtoria Politike e UÇK-së, është përgjegjësi e madhe, përgjegjësi për ta dërguar shtetin në nivel më të lartë, sinqerisht, me tërë forcat përparimtare të vendit. Partia Demokratike është vet liria dhe shteti i Kosovës!
Të jesh lider i Partisë Demokratike të Kosovës, do të thotë të jesh shtetformues e shtetndërtues, gjithëpërfshirës e përbashkues, trim dhe i drejtë, largpamës e vizionar, burrështetas dhe lider në fjalë e vepra. Suksese të mëtejme parti e liderëve tanë të luftës dhe paqes, suksese PDK!./Indeksonline/

