75 Mall Live Search
17:18 / E Mërkurë, 04 Shtator 2019 / indeksADMonline

Shkarkimi i Metës, Komisioni Hetimor thërret Presidentin të dëshmojë më 9 Shtator

Kreu i Komisionit Hetimor, Ulsi Manja i ka dërguar një letër Presidentit Ilir Meta për të dëshmuar ditën e hënë më 9 shtator në orën 10:00 lidhur me dekretet.

Data dhe ora mësohet se janë përcaktuar pas marrëveshjes, mes Komisionit Hetimor dhe Presidencës, çka do të thotë se Meta do të shkojë e do të dëshmojë lidhur me pretendimet e ngritura ndaj tij, për shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Presidenti Meta pritet të dëshmojë para Komisionit, lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij, mbi anulimin e dekretit të 30 Qershorit si dhe dekretimin e një date tjetër për zgjedhjet lokale, atë të 13 Tetorit.  Kuvendi dhe maxhoranca e kanë cilësuar jokushtetues vendimin e Metës, ndaj edhe ngritën një komision hetimor, për shkarkimin e tij.

Sakaq, nga data 9 shtator deri më 11 shtator, një grup ekspertësh të Komisionit të Venecias do të zhvillojnë një sërë takimesh në Shqipëri për të mbledhur fakte në lidhje me veprimin e Presidentit Ilir Meta, që çoi në nxjerrjen e dekretit të dytë për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.