“Shkatërrimi i pronës” – Arrestohet në Tiranë 30 vjeçari nga Prishtina

Një 30-vjeçare nga Prishtina është arrestuar nga Policia në Tiranë për veprat “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Sipas njoftimit nga Policia, arrestimi i saj u bë pasi gjatë patrullimeve, policia ka ndaluar për kontroll dhe verifikim automjetin me drejtues shtetasin E. P., 23 vjeç – vëllain e të dyshuarës. Bëhet e ditur se gjatë komunikimit me punonjësit e Policisë, 23-vjeçari ka krijuar dyshime se po drejtonte automjetin nën efektin e alkoolit. Për këtë arsye është kërkuar ndihma e punonjësve të Policisë Rrugore për t’i bërë testin e alkoolit, ku testi i parë ka rezultuar 0.48 mg/l. 23-vjeçarit i është kërkuar të bëjë për herë të dytë testin e alkoolit, në zbatim të procedurës standarde, por ai ka refuzuar të kryejë testin e dytë.
Policia bën të ditur se në momentin që punonjësit e Policisë po komunikonin me 23-vjeçarin për të bërë testin e alkoolit, aty ka ardhur me një automjet tjetër, shtetasja A. P., motra e tij, e cila ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke i penguar ata të kryenin detyrën.
“Punonjësit e Policisë i kanë bërë testin e alkoolit edhe 30-vjeçares, në prani të një punonjëseje policie (e cila ka qenë prezent nga momenti i parë e deri në përfundim të të gjitha veprimeve), ku rezultoi se 30-vjeçarja drejtonte automjetin nën efektin e alkoolit në masën 0.38 mg/l. 30-vjeçarja është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, për veprime të mëtejshme për kundërshtim të punonjësve të Policisë. Gjatë kohës që ndodhej në ambientet e dhomës së shoqërimit, shtetasja A. P. ka goditur me grushte xhamin e dritares së kësaj dhome, duke e thyer atë”, thuhet tutje në njoftim.
Lidhur me rastin në rrjetet sociale është shpërndarë një video ku pretendon se policia ka ushtruar dhunë ndaj 30-vjeçares nga Kosova. Policia e ka mohuar një gjë të tillë.
“Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale për këtë rast theksojmë se: Shërbimet e Policisë, në asnjë moment, nuk kanë ushtruar dhunë ndaj 30-vjeçares dhe pretendimet e bëra publike nuk janë të vërteta. Punonjësit e Policisë kanë zbatuar procedurat standarde të punës dhe në asnjë moment nuk kanë ushtruar dhunë ndaj saj apo ndaj vëllait të saj, të përfshirë në këtë rast”, thuhet në njoftim.