Shkatërrohen 12,597 bimë kanabis në Malësi të Madhe, 14 të arrestuar

Mbi 10 mijë rrënjë kanabis sativa janë asgjësuar nga Policia e Shkodrës gjatë një operacioni në zonën e Bajzës në Malësi të Madhe.
Një pjesë e bimëve narkotike ishte mbjellë në një mjedis të hapur dhe një pjesë tjetër në një serë aty afër në fshatrat Alijaj dhe Jeran.
Aktualisht 14 të dyshuar janë vënë në pranga, ndërsa 10 të tjerë janë në kërkim.
Të arrestuarit për këtë aktivitet kriminal janë Elez Çulaj, Muho Çulaj, Fatmir Senaj, Drita Senaj, Rezarta Jaçaj, Kujtim Laçaj, Elfajed Halaj, Agron Laçaj, Adrian Çekaj, Gjelin Çekaj, Miranda Çekaj, Pjetër Çekaj, Çun Halaj dhe një 17-vjeçar.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë kultivuar 12,597 bimë të dyshuara narkotike, të llojit Cannabis Sativa, në fshatrat Alijaj dhe Jeran, pranë banesave të tyre.
Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa gjatë kontrolleve në banesa u gjetën edhe sasi të konsiderueshme lënde narkotike në faza të ndryshme përpunimi.
Ditët e fundit policia ka goditur edhe dy raste të tjera në Malësinë e Madhe, njëra me 2 mijë rrënjë dhe tjetra me afro 5 mijë rrënjë kanabis.