Shkatërrohet grupi kriminal i trafikut të drogës Shqipëri – Itali, 12 persona të arrestuar

12 persona janë arrestuar si pjesë e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Operacioni është zhvilluar në Itali dhe Shqipëri, ku në mesin e të prangosurve ka edhe shqiptarë.
Konkretisht, ditën e sotme, në Fier, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit R. H., 27 vjeç, banues në Bishan, bazuar në urdhër-arrestin për kryerjen e veprave penale “Trafik lëndësh narkotike” dhe “Organizatë kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Shtetasi, R. H., i arrestuar ditën e sotme në Fier, në rolin e tij si pjesëmarrës brenda grupit kriminal, kontrabandonte lëndën narkotike kokainë dhe ia dorëzonte personave që kishin negociuar më parë.
Gjithashtu i riu ishte i ngarkuar për të mbledhur para nga kontrabandistët vendas dhe konsumatorët.
Ndërsa në Itali, në orët e para të mëngjesit të sotëm u bë ekzekutimi i 11 urdhër-arresteve për shtetas rezidentë në Itali, ndërsa për një tjetër është bërë shpallja në kërkim pasi nuk është gjetur në banesë.
Vijon puna e përbashkët për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së këtij grupi të strukturuar kriminal. /k.k/noa.al/