75 Mall Live Search
13:18 / E Mërkurë, 07 Tetor 2020 / indeksADMonline

Shkatërrohet në Itali dhe Shqipëri grupi kriminal, kapet në Vlorë një nga 9 të ndaluarit

Finalizohet një operacion ndërkombëtar antidrogë, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e narkotikëve, në bashkëpunim me autoritetet italiane, i cili u zhvillua njëkohësisht në vendin tonë dhe në Itali.

“Ricavo”, u kodua operacioni gjatë të cilit u ekzekutuan 9 urdhërarreste të lëshuara nga Prokuroria e Arezzo-s, në Itali.

Në zbatim të urdhërarresteve të lëshuara nga zyra e Prokurorisë e Arezzo-s dhe si rezultat i veprimeve policore të mirëkoordinuara mes palëve, u arrestuan në Itali 8 persona, shtetas italianë, ndërsa në vendin tonë, u arrestua nga policia e Vlorës, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, R. B., 26 vjeç.

Operacioni “Ricavo”, i iniciuar nga strukturat e Karabinierëve të San Gionavvi Valdarno dhe Prokuroria në Arezzo, Itali, pati si qëllim goditjen e një grupi të organizuar kriminal, të përbërë kryesisht nga shtetas italianë dhe shqiptarë, me aktivitet trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve.

Aktualisht vazhdojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme të këtij grupi të strukturuar kriminal.

Operacioni u kurorëzua në orët e para të mëngjesit të sotëm, si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tirana, policisë Vlorë dhe Zyrës së Oficerëve Ndërlidhës në Ambasadën italiane misioni Interforza.