75 Mall Live Search
10:56 / E Mërkurë, 23 Prill 2025 / k.v

Shkatërrohet rrjeti kriminal në Prishtinë, Prokuroria Themelore del me njoftim

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për krime të rënda, ka bërë të ditur se ka ndërmarrë një aksion të suksesshëm kundër një rrjeti kriminal të dyshuar për trafikim me narkotikë dhe armë ilegale.

Pas një periudhe të hetimeve intensive dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, në bashkëpunim të ngushtë me Gjykatën Themelore të Prikshtinës dhe njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, janë identifikuar dhe arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme.

Të arrestuarit dyshohen për veprat penale? “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” si edhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, në përputhje me nenet 267 dhe 366 të Kodit penal të Republikës së Kosovës.

Gjatë operacionit janë sekuestruar:

4 kg e 945.27 gramë substanca narkotike

3 telefona

2 vetura

2 armë zjarri të tipit pistoletë

64 fishekë

Rreth 4,000 euro para të gatshme

Prokurori i shtetit, në përputhje me afatin ligjor, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Hetimet në këtë rast po vazhdojnë me intensitet të lartë, për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe për të identifikuar të gjithë të përfshirët në veprimtari të kundërligjshme.