Shkelje të shumta në tenderin milionësh në “Termokos”, KRPP-ja “mbyll sytë”

Zgjerimi i rrjetit të “Termokos”-it në kryeqytet po përcjellet me dyshimte të njëpasnjëshme. Tenderi milionësh u refuzua ditë më parë ngase konkursi i shpallur nga “Termokosi” nuk plotësonte rregullat përkatëse duke përbërë disa shkelje ligjore.
KRPP-ja gjeti disa shkelje në dosjen e tenderit të cilat ishin në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin për prokurimin publik.
“Termokos”-i mori në kohë disa ditë për të shpallur konkursin e njëjtë me specifika të njëjta.
Për çudi konkursi i dytë nuk ka hasur në kundërshti nga KRPP-ja dhe po kalon në heshtje.
Indeksonline ka pyetur organin në fjalë se cila është arsyeja që po kalon në heshtje kjo shpallje, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Në kundërshtimin e parë thuhej se kriteret e caktuara ishin joproporcionale dhe diskriminuese.
Po ashtu si një nga kritikat ishte përmendur se autoriteti kontraktues ka vendosur kërkesa të panevojshme që kufizojnë konkurrencën.
Dallaveret në “Termokos” nuk kanë të bëjnë vetëm me zgjerimin e rrjetit. Indeksonline posedon dëshmi edhe për manipulimet me matësit e vendosur në zona të ndryshme në kryeqytet ku ka patur parregullësi dhe manipulime të llojeve të ndryshme./Indeksonline/