Shkëlqimi dhe rënia e Lulzim Bashës

Lulzim Basha shpalli dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, pas 9 vitesh nga drejtimi i partisë më të madhe opozitare.
Ai e mori postin e kryetarit, pas humbjes së zgjedhjeve të PD në vitin 2013, kur drejtuesi i atëhershëm Sali Berisha dha dorëheqjen. Që nga ai vit i largët Partia Demokratike nuk ka shënuar asnjë fitore në disa palë zgjedhje parlamentare.
Lulzim Basha njihej si delfini i Berishës, ai ishte “ylli polar” në ngjitje i PD-së në vitin 2005, duke u vendosur në krye të KOP-it, strukturës që thithi të rinjtë dhe u bashkuan partisë më të madhe opozitare dhe që rikthyen në pushtet Berishën dhe që e mbajti për dy mandate radhazi.
Si njeriu që kishte mbështetjen e fortë brenda PD-së dhe veçanërisht të Sali Berishës, Basha mbajti poste të rëndësishme në qeveri si ministër i Jashtëm, i Transporteve dhe i Brendshëm. Berisha ia besoi betejën e bashkisë së Tiranës përballë Edi Ramës, ndër vetmet që ka fituar dhe që vetë Basha krenohet se ka mundur përballë kryeministrin aktual, por që asaj kohe në vitin 2011, ndryshimi i rezultatit u bë në KQZ pas rinumërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar, një procedurë që pati shumë polemika.
Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të PD-së dhe ardhjes në pushtet të Edi Ramës dhe PS-së, Sali Berisha duke njohur përgjegjësi për këtë humbje dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të PD-së në korrik të 2013-ës. Lideri historik i PD-së bëri një lëvizje të fortë brenda së djathtës, duke hapur garën për kreun e partisë.
Përballë ishin Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi. Dy figura të forta brenda PD-së dhe që garën brenda PD-së, Berisha mbajti dukshëm anë pro Bashës. Dhe kjo e ngjiti në fronin në krye të PD-së. E gjithë shpresa e demokratëve ishte te politikani i së djathtës që ka shkëlqyer gjithë këto kohë, njeriu që kishte drejtuar të gjitha ministritë kyçe dhe që mbi të gjitha kishte mundur Ramën për garën për bashkinë e Tiranës.
Tani ishte sprova e Bashës, të cilën Berisha ia besonte “verbërisht” çdo vendim në krye të PD-së, edhe pse kishin edhe bekimin e liderit historik të PD-së. Prova e parë ishin zgjedhjet e 2017-ës dhe që solli njëherësh edhe spastrimin e figurave të PD-së, si dy ish-nënkryetarët Jozefina Topalli, Astrit Patozi dhe disa emra të tjerë të rëndësishëm të PD-së. Zgjedhjet e 2017-ës sollën edhe një pakt mes Bashës dhe Ramës, disa javë përpara zgjedhjeve, i njohur si marrëveshja e 17 majit. Kjo gjë ndikoi në zgjedhjet parlamentare, pasi PD-ja bëri një bashkëqeverisje. Basha do të humbiste edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2021, duke e lënë PD-në 8 vite opozitë të tjerë, ndërsa PS-ja të vijonte të qeveriste në mandatin e tretë.
Edhe pse nuk shënoi asnjë fitore në karrierën e tij politike gjatë drejtimit të Partisë Demokratike, ajo që ‘çirrte’ veshët e qytetarëve dhe mbështetësve të së djathtëve, por dhe përtypej me vështirësi nga anëtarët e PD-së zyrtare, ishin premtimet e Bashës, se në garat e ardhshme, partia më e madhe opozitare do të fitonte, teksa do të luftohej krimi dhe korrupsioni në vend.
Nga Lulzim Basha nuk kanë munguar asnjëherë dhe “justifikimet” se zgjedhjet kanë qenë gjithmonë të vjedhura, se Partia Demokratike do të bënte revolucion apo më keq akoma, se ai kurrë nuk kishte humbur asnjë garë në jetën e tij.
Duket se zgjedhjet e fundit të pjesshme lokale të 6 marsit “kanë mbushur kupën” e durimit jo vetëm të militantëve të Partisë Demokratike por edhe mbështetësve më të besuar të Lulzim Bashës, të cilët hapur i dolën kundër dhe i kërkuan dorëheqjen nga posti që mban.
Një tjetër “njollë e zezë” në karrierën e tij politike gjatë drejtimit të PD-së është dhe vrasja e babait të tij politik, personit që zgjodhi ta fuste në PD dhe t’i jepte postin e kryetarit, Sali Berisha.
“Unë kurrë nuk do e vras babain tim politik”, ka thënë Basha në një intervistë televizive, por zgjodhi ta vriste atë me momentin e parë që iu kushtëzuar qëndrimi në Parlament. Partia Demokratike nisi të futej në një luftë të madhe brenda llojit në kohën kur Basha përjashtoi nga Grupi Parlamentar Sali Berishën. Ish-kryetari i doli kundër duke e sulmuar dhe rizgjuar protestat e dhunshme, kësaj rradhe jo kundër qeverisë por kundër vetë partisë së tij dhe kolegëve të dikurshme, asaj të Partisë Demokratike.
Teksa Basha kuptonte se fundi i tij politik po bëhej i pashmangshëm dhe zgjidhja e vetëme për të dyja palët, si për të por dhe për PD-në ishte dorëheqja e tij, filloj të nxirrte në pah dhe të “privatizonte” disa të vërteta dhe arritje të PD gjatë drejtimit të Berishës, përmendim këtu heqjen e vizave, futjen e Shqipërisë në NATO, hapjen e negocaiatave të Shqipërisë me BE apo të tjera arritje.
Por Basha nuk mund t’u shmanget dot “njollave të zeza” në karrierën e tij politike, ku do të mbahet mend ndër të tjera si ministri i katër të vravëve në 21 Janar, ministri i paktit detar me faljen e detit Greqisë apo dhe tenderi që pati akuza për korrupsion i rrugës Durrës- Kukës.
Ministër kur u vranë 4 demonstruesit e opozitës në 21 janar 2011
Në 21 janar 2011, në drejtimin e policisë prej tij u vranë 4 protestues në sheshin përballë kryeministrisë, të qëlluar nga Grada e Republikës, me urdhër të Sali Berishës, Lulzim Basha nuk u përfshi në hetime, dosja nuk ka autorë krimi.
Ministër i Paktit Detar, me falje të detit Greqisë
Janë 355 km katrorë sipërfaqe detare, që iu dhanë Greqisë në 28 prill 2009, dy maj përpara zgjedhjeve parlamentare, pas paktit detar të nënshkruar mes qeverive të dy vendeve. Në 26 janar 2010, Gjykata Kushtetuese e deklaroi të papajtueshme me Kushtetutën këtë projekt- marrëveshje
Ministër i tenderit të rrugës “Durrës-Kukës”
Janë 240 milion euro, vjedhja korruptive e bërë prej Lulzim Bashës, me tenderin fiktiv të rrugës Rrëshen-Kalimash. Bashës. Prokuroria kërkoi imunitetin e Bashës, por Gjykata nuk e gjykoi akuzën dhe e mbylli dosjen “me procedurë”, pra me tejkalim afatesh hetimi, të cilat u mbyllën me procedurë, me urdhër të Berishës.
Nuk e dihet nëse Basha është një Don Kishot i kohëve moderne apo ai thjesht pati një shkëlqim dhe rënie si shoku Zylo i Dritëro Agollit, por tashmë “ngërçi” që prej kohësh kishte mbërthyer PD, duket se është drejt zgjidhjes.
Karriera politike e Lulzim Bashës:
Basha iu bashkua Partisë Demokratike të Shqipërisë në janar të vitit 2004 si Koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP) në Partinë Demokratike, duke qënë përgjegjës për koordinimin e punës së ekspertëve dhe komisioneve të KOP-it. Ai u bë anëtar i kryesisë së partisë në maj të po atij viti.
Ndërkohë kujtojmë se Basha shërbeu si zëdhënës partisë gjatë zgjedhjeve parlamentare vitit 2005 në të cilat ai u zgjodh në Kuvendin e Shqipërisë si deputet i zonës zgjedhore nr. 33 në Tiranë, një prej zonave të vështira elektorale për Partinë Demokratike.
Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, Lulzim Basha u bë Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ku ai shërbeu për një periudhë prej dy vjetësh, derisa ai u emërua Ministër i Punëve të Jashtme në vitin 2007.
Basha shërbeu gjithashtu si Ministër i Punëve të Jashtme nga maji 2007 deri në shtator 2009. Gjatë mandatit të tij, Shqipëria u pranua në NATO, ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe filloi dialogun për të siguruar udhëtimin pa viza për qytetarët e saj në vendet e Shengenit.
Pas zgjedhjeve të vitit 2009 në të cilat Lulzim Basha u zgjodh deputet i Elbasanit, ai u emërua si Ministër i Brendshëm në qeverinë e re Berisha.
Në vitin 2011, Basha kandidoi për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës si kandidat i Partisë Demokratike dhe Koalicionit Aleanca për Qytetarin, duke sfiduar Edi Ramën, kryetarin e atëhershëm të Bashkisë dhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Basha u zgjodh kryetar i ri i Bashkisë së Tiranës.
Nga maji i vitit 2005 dhe në vazhdim është anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Nga prilli i vitit 2005 dhe në vazhdim është anëtar i Këshillit Kombëtarë të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Mbas dorëheqjes së Kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha, Lulzim Basha shpalli kandidaturën për kryetar të Partisë Demokratike.
Në zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike më 22 korrik 2013, Lulzim Basha fitoi kundrejt kandidatit tjetër Sokol Olldashi duke fituar 80% të votave të anëtarësisë se PD. Në këtë garë për herë të parë u zbatua parimi “një anëtar një votë”.