75 Mall Live Search
17:10 / E Premte, 07 Maj 2021 / Blerim

Shkëlzen Shala, ndërmarrësi i cili promovon veganizmin nëpërmjet vendit të parë vegan në Kosovë

Karrierën e tij e ka filluar si ndërmarrës, mirëpo Shkëlzen Shala është bërë figurë prominente e veganizmit në Kosovë. I lindur e i rritur në Prishtinë, Shala njihet si një nga afaristët më të njohur në fushën e gastronomisë.

Shkëlzen Shala ka lindur në Prishtinë, më 22 prill 1983. Ai ka studiuar skenografinë dhe ekonominë në Universitetin e Prishtinës, dhe gjithashtu ka mbaruar shkollën e lartë të hotelierisë në Prishtinë.

Në vitin 2002 Shala filloi të merrej me gastronomi dhe hotelieri, duke menaxhuar bashkë me vëllain e tij, Shpendin restaurantin dhe hotelin e familjes së tij në Prishtinë, Garden, i cili gradualisht filloi të frekuentohej nga njerëz të famshëm vendorë e ndërkombëtarë, si Sofia, Kontesha e Wessex, Dua Lipa, Ramë Lahaj, Era Istrefi, Elvana Gjata dhe Arilena Ara, ndër shumë të tjerë. Shala e bëri dizajnimin e hotelit i vetëm, pa ndihmën e arkitektëve.

Gradualisht, interesimi i Shalës filloi të kalonte në veganizëm, praktika e të ushqyerit pa produkte shtazore. Si një vegan, ai filloi të avokojë për benefitet e veganizmit, duke bërë paraqitje në radiotelevizionet prominente në Kosovë si RTK dhe Kohavision. Në vitin 2020 ai hapi restaurantin e parë vegan në Kosovë, Soul Bar, Vegan & More. Shala beson se çdokush duhet të jetë vegan, për shkak se ajo është forma më e mirë dhe e shëndetshme e të ushqyerit. Ushqimet vegane që ai konsumon janë të shumta, por më së shpeshti ai konsumon tërshërë, fara të ndryshme, arra, fruta dhe qumësht bimor. Ai beson se njeriu nuk duhet “vetëm ta ngarkoj lukthin”, por të marrë mineralet dhe vitaminat e nevojshme. Sipas Shalës, personat veganë bëjnë gjumë më të mirë, zgjohen dhe ndihen më të pushueshëm, janë më energjikë, dhe trupin e kanë më në formë. Ai mendon se gjeneratat e reja janë shumë më të hapura ndaj veganizmit se sa ato më të vjetra.

Shala vjen nga një familje me traditë në punë e biznes. Gjyshi i tij ka qenë një fermer i njohur në ish-Jugosllavi, i cili ka trashëguar pasurinë tek i biri i tij, Ismeti, duke ruajtur dhe kultivuar me përkushtim vullnetin për të ardhme të ndritur në biznes. Ismeti ishte profesor në një shkollë të mesme në Prishtinë për më shumë se 40 vjet. Pos vëllait, Shala ka edhe dy motra. Poashtu është i martuar dhe është baba i dy vajzave, Aria dhe Ana.