Shkëmbim Shqipëri–Kosovë në formim profesional: Trajnime në parukeri dhe estetikë rrisin standardet dhe forcojnë imazhin e zejtarisë
Në kuadër të Projektit të Partneritetit ndërmjet Dhomave dhe Shoqatave Shqipëri–Kosovë, në ambientet e Qendrës së Kompetencës në Prizren u përmbyll me sukses cikli i radhës i trajnimeve profesionale në fushën e parukerisë dhe estetikës.
Aktiviteti përbën hapin e rradhës në zhvillimin e partneritetit dhe bashkëpunimit në fushën e formimit profesional ndërmjet dy vendeve, me synim shkëmbimin e përvojave, rritjen e standardeve dhe fuqizimin e sektorëve të zejtarisë.

Aktiviteti realizohet në partneritet nga Dhoma e Zejeve Koblenz, Dhoma Kombëtare e Zejtarisë Shqipëri, Oda e Prizrenit, Shoqata e Profesionistëve të Përkujdesjes dhe Artit Trupor (SHPPAT), Qendra Multifunksionale “New Generation” dhe Qendra e Kompetencës Prizren.
Cikli i trajnimeve u zhvillua në dy faza. Në sesionin e parë, më 15 nëntor 2025, ekspertët nga SHPPAT dhe qendra multifunksionale “New Generation” nga Shqipëria prezantuan dhe demonstruan praktika inovative, teknika moderne dhe metoda bashkëkohore në mësimdhënien praktike të parukerisë dhe estetikës.
Pjesa e dytë e aktivitetit, e zhvilluar më 28 shkurt – 1 mars 2026, u përqendrua jo vetëm në thellimin e njohurive praktike nga ekspertët shqiptarë, por edhe në demonstrimin e aftësive të fituara nga vetë stafi pedagogjik i Qendrës së Kompetencës në Prizren. Kjo qasje dyanshme siguron transferim të qëndrueshëm të njohurive dhe zbatim konkret të standardeve të reja në procesin mësimor.
Në përmbyllje të aktivitetit, më 1 mars, pjesëmarrësve iu shpërndanë certifikata, si dëshmi e angazhimit për zhvillim të vazhdueshëm profesional.
Ky aktivitet është vazhdimësi e bashkëpunimit të nisur më herët, si aktiviteti i dhjetorit 2025 në sektorin e tekstilit, ku artizanë nga Shqipëria dhe Kosova morën pjesë në panele diskutimi dhe sfilata prezantuese të veshjeve.
Trajnimet në parukeri dhe estetikë përfaqësojnë aktivitetin e radhës në kuadër të këtij partneriteti strategjik.
Përtej dimensionit teknik, këto iniciativa synojnë edhe përmirësimin e imazhit të zejtarisë në Kosovë, duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e standardeve të larta profesionale, potencialin ekonomik të sektorëve dhe mundësitë konkrete që ofrojnë në tregun e punës. Duke përqafuar praktikat më të mira dhe forcuar bashkëpunimin rajonal, zejtarija bëhet më atraktive për brezin e ri dhe një sektor me perspektivë zhvillimi dhe punësimi të qëndrueshëm.

