Shkencëtarët zbulojnë një shkak befasues të tensionit të lartë
Një pjesë pak e njohur e trurit mund të jetë përgjegjëse për tensionin e lartë të gjakut, sipas një studimi të ri shkencor.
Bëhet fjalë për rajonin lateral parafacial, një grup nervash në trungun e trurit që kontrollon funksione automatike jetësore si frymëmarrja, tretja dhe rrahjet e zemrës. Ky rajon aktivizohet edhe gjatë të qeshurës, aktivitetit fizik apo kollës, duke nxitur nxjerrjen e detyruar të ajrit që krijon këto tinguj.
Tani, studiues nga Zelanda e Re kanë zbuluar se aktivizimi i këtij rajoni mund të nxisë edhe nerva që shkaktojnë ngushtimin e enëve të gjakut, duke rritur presionin e gjakut dhe duke çuar në hipertension – një gjendje kronike mjekësore.
Në laborator, shkencëtarët aktivizuan dhe çaktivizuan nervat në këtë zonë, ndërsa monitoronin tensionin e gjakut. Rezultatet treguan se tensioni rritej kur rajoni lateral parafacial ishte aktiv dhe ulej kur ai inhibohej.
Dr. Julian Paton, fiziolog në Universitetin e Aucklandit dhe udhëheqës i studimit, tha se ekipi i tij ka identifikuar një rajon të ri të trurit që kontribuon në tensionin e lartë. Sipas tij, në kushte hipertensioni ky rajon aktivizohet, ndërsa çaktivizimi i tij e rikthen tensionin në nivele normale.
Studimi u krye te minjtë dhe shkencëtarët theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të konfirmuar nëse i njëjti mekanizëm funksionon edhe te njerëzit. Gjithashtu, ende nuk dihet se çfarë përqindje e rasteve të hipertensionit lidhen drejtpërdrejt me këtë mekanizëm.
Deri tani, faktorë si dieta e pasur me kripë, stresi, mbipesha dhe konsumimi i alkoolit janë konsideruar shkaktarët kryesorë të tensionit të lartë. Megjithatë, gjithnjë e më shumë studime sugjerojnë se truri luan një rol kyç, pasi ai dërgon sinjale që rregullojnë rrahjet e zemrës dhe ngushtimin ose zgjerimin e enëve të gjakut.
Autorët e studimit theksojnë se këto gjetje mund të hapin rrugën për trajtime të reja të hipertensionit, të fokusuara në qetësimin e nervave në tru që kontribuojnë në rritjen e tensionit.
Hipertensioni është gjendja mjekësore më e zakonshme në SHBA. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), rreth 120 milionë të rritur – pothuajse gjysma e popullsisë – vuajnë nga tensioni i lartë. Vlerat normale konsiderohen më pak se 120/80 mmHg, ndërsa çdo vlerë mbi këtë prag klasifikohet si tension i lartë.
Mjekët paralajmërojnë se hipertensioni dëmton enët e gjakut dhe rrit rrezikun për goditje në tru, infarkt, demencë dhe sëmundje të tjera serioze. Rreth një në gjashtë vdekje në SHBA lidhet me këtë gjendje.
Trajtimi zakonisht përfshin medikamente që relaksojnë enët e gjakut, si dhe këshilla për ruajtjen e një peshe të shëndetshme, aktivitet të rregullt fizik dhe ushqyerje të balancuar.
Studimi, i publikuar në revistën Circulation Research, përdori viruse për të stimuluar ose qetësuar nervat në rajonin lateral parafacial. Studiuesit monitoruan gjithashtu sinjalet nga një zonë tjetër e trungut të trurit, e quajtur medulla rostrale ventrolaterale, e cila luan rol qendror në kontrollin e tensionit të gjakut.
Kur rajoni parafacial u stimulua, u vu re frymëmarrje e detyruar dhe aktivizim i sistemit nervor simpatik – sistemi i pavullnetshëm që kontrollon reagimin “lufto ose ik”. Kur nervat u inhibuan, enët e gjakut u relaksuan dhe tensioni u kthye në normale, pa ndikuar negativisht në frymëmarrje.
Këto rezultate përforcojnë idenë se hipertensioni nuk është vetëm një problem i stilit të jetesës, por në disa raste mund të ketë rrënjë të thella neurologjike, duke hapur horizonte të reja për diagnostikim dhe trajtim.

