75 Mall Live Search
10:26 / E Enjte, 10 Shtator 2020 / indeksADMonline

SHKK-ja tani edhe kategori ligjore

Sot, nën udhëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, pas një pune të gjatë dhe tejet dinamike, Grupi punues ka përfunduar punën, duke e hartuar Projektligjin e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Grupi punues për hartimin e projektligjit të Shërbimit Korrektues të Kosovës ka përfunduar hartimin Projektligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës. I tërë aktiviteti i grupit punues ishte në funksion të plotë të përmbushjes së obligimeve, të cilat dalin nga plani i punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2020-2021 dhe programi legjislativ për vitin 2020.

Më 28.07.2020 është themeluar ekipi punues për hartimin e projektligjit, në të cilin ishin të përfshirë përfaqësues nga: International Criminal Investigative Training Assistance Program (ICITAP), Departamenti ligjor i Ministrisë së Drejtësisë, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Departamenti për integrime evropiane MD, Sindikata e Shërbimit Korrektues të Kosovës, përfaqësues të institucionit të Avokatit të Popullit, Eulexit, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Organization for Security and Cooperation in Europe (OSBE), Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, si edhe përfaqësues nga Shoqata e Grave të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës me ketë projektligj synon që të arrijë objektivat e saj me qëllim të avancimit dhe zhvillimit të Shërbimit Korrektues të Republikës së Kosovës, si një mekanizëm i rëndësishëm në kuadër të sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, e vlerëson se rregullimi i fusheveprimtarisë, kompetencave, organizimit të brendshëm, reformimin dhe avancimin sa më lartë të Shërbimit Korrektues të Republikës së Kosovës është njëkohësisht në funksion të krijimit të kushteve për trajtimin e të burgosurve sipas standardeve vendore dhe ndërkombëtare.

Përmes këtij rregullimi ligjor, po ashtu synohet të ketë efekt edhe në ngritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, e veçanërisht në SHKK-në si një ndër institucionet me rendësi vitale për korrektimin dhe risocializimin e të burgosurve që ata pas përfundimit të burgut t’u kthehen familjeve dhe shoqërisë si qytetarë të dobishëm.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, çdo herë do të jetë i përkushtuar në avancim të mëtejshëm dhe në reforma të vazhdueshme, me qëllimin e të qenët institucion profesional, kredibil, i besueshëm dhe konkurrent me institucionet korrektuese të shteteve demokratike dhe moderne, të cilat aplikojnë vlerat më të larta të lirive dhe drejtave të njeriut.