17:40 / E Mërkurë, 19 Qershor 2019 / indeksADMonline

Shkodra: Aksion i suksesshëm i bashkëpunimit Kosovë-Gjermani

Policia e Kosovës, dje në bashkërendim me autoritetet kompetente dhe bazuar në urdhëresën e gjykatës themelore në Prishtinë, ka realizuar një operacion kontrolli – bastisjeje në gjashtë, lokacione të ndryshme në qytetin e Prishtinës dhe Ferizajt.

Selami Shkodra, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, në emisionin INFO 3 në RTK, tha se operacioni i kontrollit është kryer në bashkëveprim të ngushtë ndërmjet zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe zyrtareve policor nga shteti i Gjermanisë.

Operacioni i zhvilluar ka pasur për qëllim gjetjen e dëshmive materiale lidhur me vërtetimin e veprës penale “Pastrim i parave”, të cilën dyshohet ta kenë kryer persona të dyshuar të involvuar.

Shkodra pohoi se me këtë rast janë konfiskuar një material i konsiderueshëm i provave, të cilat ekspertët e fushës i kanë konsideruar të nevojshme për t’u ekzaminuar .

Sipas tij, provat e gjetura, do të shpien në rezultate të tjera të këtij aksioni ku janë gjetur material të mjaftueshëm për të vazhduar hetimet.

Çështje tjetër që u trajtua në këtë bisedë ishte edhe e përgatitjet e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, për çka Shkodra tha se beson se kësaj here, “me punën e institucioneve tona dhe me përkrahjen e aleatëve tanë, rezultatet par anëtarësim të Kosovës në Interpol do të jenë premtuese”.