Shkodra më e prekura nga reshjet me intensitet të lartë në Shqipëri
Reshjet e shumta të shiut brenda 24 orëve të fundit e kanë rënduar gjendjen në disa pjesë të Shqipërisë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes atje thuhet se në terren kanë dalë strukturat e mbrojtjes civile në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe institucionet përgjegjëse, ata po ndjekin nga afër situatën në të gjithë vendin.
Ministria njofton se qarku i Shkodrës rezulton të jetë më i prekuri nga reshjet me intensitet të lartë.
“Që nga mëngjesi i sotëm ekipet e AKMC dhe FA kanë ndjekur në terren situatën në bashkinë Vau Dejës, ku aktualisht situata është drejt normalizimit. Niveli i ujit është ulur ndjeshëm dhe në disa banesa është tërhequr plotësisht”.
“Në zonat ku banesat rrezikoheshin nga prurjet e përroit, po ndërhyhet me eskavatorë për devijimin e rrjedhës dhe ngritjen e një argjinature mbrojtëse. Gjithashtu po punohet në bashkinë Fushë Arrëz dhe në njësinë administrative Gur i Zi për pastrimin e inerteve në akset ku ka patur rënie gurësh, për të garantuar qarkullimin normal”, thuhet në njoftim.
Nga qarqet e tjera të Shqipërisë nuk raportohen problematika në infrastrukturë apo banesa si pasojë e kushteve të motit.

