Shkoi në SHBA për trajnim e nuk u kthye më, FSK: Ndaj ushtarit është iniciuar procedurë ligjore

Një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili kishte qenë duke u trajnuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk është kthyer më në vendlindje.
Ai ka vendosur që të qëndrojë te familjarët e tij, jashtë çdo autorizimi zyrtar.
Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga shefi për komunikim publik në FSK, Vëllazërim Qerimi.
Ai ka sqaruar se ushtari në fjalë është larguar pa leje nga autoritetet kompetente gjatë kohës së trajnimit në SHBA.
Qerimi theksoi se tashmë ndaj tij janë ndërmarrë hapat ligjorë për këtë rast, konform rregulloreve dhe legjislacionit në fuqi.
“Forca e Sigurisë së Kosovës ju njofton se pjesëtari në fjalë është larguar pa marrë leje nga autoritetet kompetente gjatë një trajnimi në SHBA. Gjithashtu ju njoftojmë se FSK-ja ka inicuar procedurat ligjore për pjesëtarin në fjalë, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi”, deklaroi Qerimi për Klankosova.tv.
Shefi për komunikim publik në FSK, nuk dha detaje të tjera lidhur me rastin, e as nëse ka pasur edhe në të kaluarën zhvillime të ngjashme.
Ushtaraku i cili u largua pa leje ishte një nga 152 pjesëtarët e FSK-së që në maj të këtij viti kishin udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në trajnimet elitare të “Joint Readiness Training Center (JRTC)”, që është një nga programet më të avancuara ushtarake në botë.