Shkolla në Vushtrri shpërfill vendimin e Qeverisë, rrezikon dënimin

Mbrëmë në orën 20:00, Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje, ku ndërmorrën masa kundër koronavirusit. Kështu, u vendos që të ndërpitet procesi mësimor deri më 27 mars.
“Ndërprerja e procesit edukativo arsimor dhe institucioneve arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri më 27 mars 2020”, thuhet në njoftimin e tyre.
Por ky vendim nuk u respektua nga Shkolla e gjuhëve të huaja “Lingua Forever” në Vushtrri.
Burime të Indeksonline kanë treguar se, pavarësisht vendimit të Qeverisë, kjo shkollë sot ka vazhduar punën e saj.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, parashihet dënimi për gjithë ata që nuk i respektojnë vendimet e nxjerra nga institucionet përkatëse lidhur me sëmundjes gjatë kohës së epidemisë.

“Neni 250. Mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë. Kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet me burgim deri në dy (2) vjet”, thuhet në Kodin Penal të Kosovës.
Indeksonline ka kontaktuar me profesorin Islam Krasniqi, mirëpo ai tha se nuk është e vërtetë që kanë punuar gjatë ditës së sotme.
“Jo nuk është e vërtetë, s’kemi me punu. Jemi duke e respektu vendimin e Qeverisë”, u shpreh Krasniqi./Indeksonline/
