75 Mall Live Search
22:00 / E Shtunë, 02 Mars 2019 / indeksADMonline

Shkollat e Mitrovicës respektojnë vendimin e MASHT-it, fillojnë kompensimin e orëve të humbura

Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se nga sot ka filluar kompensimin e ditëve të humbura të mësimit, gjatë grevës që u mbajt në muajin janar.

Komuna ka njoftuar se ndonëse sot ishte e shtunë, shkollat e Mitrovicës në harmoni me vendimin e marrë nga MASHT-i kanë mbajtur mësim, transmeton Indeksonline.

Drejtori i Arsimit, Iset Beka, ka thënë se në shumicën e shkollave të komunës, sot është duke u mbajt mësimi dhe tash për tash çdo gjë po shkon sipas planit të përcaktuara nga drejtorët dhe personeli në këto shkolla për kompensimin e orëve të humbura.

“Shumë shkolla të komunës sonë sot janë duke zbatuar në plotësi vendimin e MASHT-it që të kompensohen orët e humbura gjatë periudhës se grevës së arsimtarëve. Këtë e kemi parë vetë në vizitën që kemi bërë me stafin e drejtorisë në disa nga shkollat tona” ka thënë drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Iset Beka.

Beka ka falënderuar personelin arsimor në këtë shkolla për respektimin e vendimit dhe gatishmërinë që të përmbushin plan programin e punës në procesin arsimor.

Ndërsa zyrtarët komunal nga DKA kanë theksuar se vijueshmëria e nxënësve është sikurse në secilën ditë që dëshmon seriozitetin e angazhimit edhe të shkollave por edhe të prindërve dhe vetë nxënësve për të kompensuar ditët e humbura të shkollës. /Indeksonline/