75 Mall Live Search
14:50 / E Martë, 26 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Shkollat profesionale përballen me mungesë buxheti

Interesimi i të rinjve për shkollimin profesional është rritur, por institucionet e vendit nuk po e shohin me prioritet këtë fushë, derisa edhe buxheti që ndahet për arsimin dhe aftësimin profesional është i pamjaftueshëm, ndërkohë që shumica e shkollave profesionale nuk i plotësojnë kriteret e kërkuara.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ku temë ishte “Shkollimi Profesional në Kosovë.

Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard tha se shqetësim për shkollimin dhe aftësimin profesional mbetet mungesa e kurrikulës dhe teksteve shkollore, dhe ndërlidhja e shkollave me tregun e punës.

Qehaja pohoi se edhe buxheti tregon se arsimi nuk është primar në Kosovë ku 80% e buxhetit shkon në paga.

Si shqetësim, Qehaja përmendi edhe mos përgatitjen e rreth 40 për qind të mësimdhënësve për të ushtruar profesion në profile të caktuara, pasi që mungon trajnim i mirëfilltë i mësimdhënësve për punë praktike.

“Ende kemi një mungesë pikë së pari të kurrikulave dhe tekstet shkollore që ende kemi një mungesë të një kurrikule të mirëfilltë, sistemi aktual i bazuar në kompetenca bie ndesh me shumë investime bie fjala që e kanë shtyrë shkollimin profesional drejt një sistemi dual, shpërputhje të tilla brenda vetë sistemit kanë ndikuar që cilësinë e vetë shkollimit profesional. Rikujtoj po ashtu se edhe në buxhetin e alokuar për shkollimin profesional për vitin 2019, diku rreth 80 për qind e buxhetit ende vazhdon të shkojë për paga si rezultat i decentralizimit shpenzimet tjera operative janë kërkuar të mbulohen nga DKA-të. 40 për qind e mësimdhënësve të shkollimit profesional supozohet që janë jo të përgatitur për zhvilluar profesionin në profile të tyre të caktuara, kemi një mungesë të një sistemi sistematik të trajnimeve dhe përditësimit të njohurive të mësimdhënësve”, ka thënë Qehaja.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëri Nagavci  u pajtua se mungesa e buxhetit dhe teksteve shkollore ndikojnë në mos zhvillimin e shkollimit profesional.

“Është vërtet shqetësues që buxheti për shkollat profesional është i pamjaftueshëm, duke pasur parasysh kërkesat specifike të këtyre shkollave si për kushtet e punës brenda në shkollë, edhe për organizimin e mësimit praktik, dhe po ashtu ndër më shqetësueset vazhdojnë të mbeten mungesa e kurrikulave dhe teksteve shkollore”, ka thënë Nagavci.

Anton Gojani nga Instituti KIETI  kërkoi që institucionet të fokusohen që nxënësit ta bëjnë shkollimin profesional si zgjedhje primare dhe jo të tretë, pasi që ne ende kemi probleme substanciale në këtë drejtim.

Udhëheqësja e Divizionit për Arsim dhe Aftësim Profesional në MASHT, Valbona Fetiu-Mjeku tha se në arsimin kosovar nuk ka decentralizim të plotë pasi edhe buxheti nuk ndahet si duhet për këtë fushë. Sipas saj nuk mund të pritet rezultat në shkollat profesionale nëse buxheti nuk ndahet për laboratorë  e pajisje.

Në këtë tryezë i pranishëm ishte edhe eksperti i fushës së arsimit, Dukagjin Pupovci nga Qendra për Arsim e Kosovës, i cili tha se Kuvendit të Kosovës i takon që të marrë iniciativën për zbatimin e ligjit për arsimin cilësor.

Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar edhe tryeza të tjera me tematikë arsimin në Kosovës, ku më pas do të thirret edhe një seancë përmes të cilës synohet të nxirret një rezolutë për arsimin./B.Ibishi/