22:47 / E Martë, 24 Mars 2020 / indeksADMonline

Shkon në 47 numri i të prekurve nga koronavirusi në Malin e Zi

Instituti i Shëndetit Publik i Malit të Zi konfirmoi të martën mbrëma, edhe 17 raste të reja të të infektuarve me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 47 të prekur.

Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi, bëri të ditur, se janë analizuar 34 mostra, ndërkohë 6 mijë persona janë nën mbikëqyrjen mjekësore dhe sanitare, kurse gati 1 mijë persona gjenden në karantinat institucionale.

Në mëngjesin e hënës një 65 vjeçar u bë viktima e parë e koronavirusit në Mal të Zi. Autoritetet thanë se viktima, nga qyteti Herceg Novi, ishte shtruar në spitalin infektiv të Qendrës Klinike të Malit të Zi, njofton VoA.

Sipas mjekëve 65 vjeçari kishte sëmundje shoqëruese dhe se gjatë muajit mars kishte qëndruar në Serbi ku, sipas tyre, edhe u infektua. Mali i Zi po zbaton aktualisht masa të rrepta për sa i takon qarkullimit të popullatës, grumbullimit apo lëvizjes së saj. Ndërkohë disa qytete po shërbejnë si karantinë.