09:08 / E Mërkurë, 03 Qershor 2020 / indeksADMonline

Shkon në mbi 380,000 numri global i viktimave të koronavirusit

Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga koronavirusi në mbarë botën ka shkuar në mbi 380,000.

Ndërkohë numri i personave të infektuar në planet ka shkuar në gati 6.4 milionë, më saktësisht në 6,378,239, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Brazili, me 31,199 të vdekur, është afër që t’ia kalojë Italisë në listën e shteteve me më së shumti viktima në botë. Në vendin evropian deri më tani janë regjistruar 33,530 raste fatale.

Megjithatë, presidenti brazilian i së djathtës ekstreme, Jair Bolsonaro, i cili e ka cilësuar koronavirusin si një grip të vogël, përsëri e ka injoruar pandeminë të martën.

“Më vjen keq për secilën vdekje, por ky është fati i caktuar i secilit”, u tha Bolsonaro përkrahësve të tij para pallatit presidencial në kryeqytetin brazilian, Brazilia.

Dhjetë shtetet me më së shumti të infektuar janë: Shtetet e Bashkuara, Brazili, Rusia, Britania e Madhe, Spanja, Italia, India, Franca, Gjermania dhe Peruja.