75 Mall Live Search
09:17 / E Hënë, 09 Mars 2020 / indeksADMonline

Shkrimtari kosovar: Erdhi apo s’na treguan se coronavirusi ishte këtu, pak ka rëndësi

Virusi vdekjeprurës, coronavirusi thuajse ka pushtuar gjithë botën.

Mbrëmë dy raste u konfirmuan në Tiranë, derisa të infektuarit janë babë e bir të cilët kishin ardhur nga Italia.

Ndërsa, rreziku sa vjen edhe shtohet edhe për Kosovën, por që fatmirësisht deri tani nuk është raportuar për ndonjë të infektuar, përcjell Indeksonline.

Ndërsa, është shkrimtari i njohur kosovar, Albatros Rexhaj, ai që në llogarinë Facebook, ka shkruar sot një status rreth coronavirusit, deri sa ka thënë se si popull kemi kaluar shumë sfida dhe do e kalojmë edhe këtë, duke shtuar se erdhi apo na treguan më në fund që  kjo epidemi ishte këtu pak ka rëndësi.

Ky është postimi i tij i plotë:

Erdhi apo na treguan më në fund që Coronavirusi ishte këtu, pak ka rëndësi.
Si popull, kemi kaluar shumë sfida dhe do e kalojmë edhe këtë. Por kjo është një sfidë që mposhtet vetëm kur secili nga ne sakrifikon shumë gjëra nga rehatia personale sepse ky virus nuk është shaka, është diçka shumë serioze.
Një nga arsyet pse ka një shpërthim kaq të madh në Itali është pikërisht neglizhenca. Edhe pse u konfirmuan raste, njerëzit vazhdonin të vërshonin kafenetë, diskotekat, klubet, qendrat e skijimit, vërshonin qendrat tregtare.
Shqiptarët janë edhe më keq në këtë pjesë, sepse besojnë në përralla tallava.
Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se këto dy raste janë vetëm ato që dimë, kushedi sa ka të tjerë që akoma do zbulohen.
Frika është njerëzore, kushdo që ju thotë ndryshe është idiot.
Armiku nuk është frika, por është neglizhenca dhe pa përgjegjësia që buron nga ata që krekosen se nuk kanë frikë.
Ne, me papërgjegjshmërinë tonë, mund të kthehemi në inkubator ideal për këtë epidemi.
Kufizoni lëvizjet, harroni kafenetë e klubet dhe çfarëdo hapësirë të mbyllur dhe mos hezitoni të ndërmerrni të gjitha ato masat tjera me të cilat ndonjëherë qeshim. Bëjeni këtë thuajse jeta të varet nga to, sepse tani kjo rastis të jetë e saktë.