75 Mall Live Search
10:18 / E Enjte, 31 Tetor 2019 / indeksADMonline

Shkrirja e ministrive, eksperti: Integrimet jo me Punët e Jashtme

Partitë fituese të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit të cilat synojnë të formojnë qeverinë e re të Kosovës, kanë deklaruar që do të zvogëlojnë numrin e ministrive në 12. Sipas tyre, do të bëhet bashkimi i disa ministrive, ndër të tjera edhe shkrirja e Ministrisë së Integrimeve Evropiane në atë të Punëve të Jashtme.

Ekspertë të integrimeve këtë e konsiderojnë gabim dhe paralajmërojnë se do të jetë proces i dështuar. Sipas Institutit EPIK, Ministria e Integrimeve duhet të shkrihet në zyrën e kryeministrit e jo në MPJ meqë kjo e fundit nuk ka asgjë të përbashkët me procesin e integrimit evropian, që si i tillë është proces i reformave të brendshme.

Javën që shkoi, në takimin e grupeve punues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës u diskutua për formatin e qeverisë së re dhe numrin e ministrive. Ata po synojnë që të jenë vetëm 12 ministri, e rrjedhimisht të bëjnë fuzionimin e disa prej tyre.

Lumir Abdixhiku i LDK-së, pas takimit të grupeve punuese javën e kaluar, deklaroi se kanë biseduar për fuzionimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të Integrimeve Evropiane dhe Diasporës, në Ministrisë të Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane.

“Për bashkim të ministrive, për shembull, kemi bërë fuzionimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të Integrimeve Evropiane dhe Diasporës, në Ministri të Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane”, ka deklaruar Abdixhiku pas takimit të grupeve punese Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, javën që shkoi.

Por me këtë nuk po pajtohen ekspertë të integrimeve.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Epik, Demush Shasha, sqaron për KosovaPress, arsyet pse e vlerësojnë të gabueshëm një vendim të tillë që do të bashkonte Ministrinë e Integrimeve me atë të Punëve të Jashtme.

Sipas tij, Integrimet duhet të bashkohen me zyrën e kryeministrit, meqë ky i fundit është kryereformator i vendit.

“Reformat në agjendën integruese apo procesin integrues, është proces më i rëndësishëm me të cilin ballafaqohet vendi ynë, 93% e qytetarëve të Kosovës janë pro anëtarësimit në BE, do të thotë një peshë kaq e madhe politike, një peshë kaq e madhe qytetare, nuk mund të atribuohet me një dikaster paralel ministror, por duhet të bartet nga vet bartësi i qeverisë, apo kryeministri. Çështjet e integrimit evropian janë reformat e brendshme, nuk janë punët e jashtme, reformat e brendshme që kanë të bëjnë me reformat që ndodhin në Prizren, Mitrovicë, në Prishtinë, rrjedhimisht, kryeministri si bartës i përgjegjësisë që iu ka deleguar si përfaqësues i sovranit, duhet të bartë përgjegjësinë për zbatimin e këtyre reformave”, thotë ai.

Ai tutje thekson se kur ka shumë institucione për t’i koordinuar, duhet të ekzistojë një hierarki.

“Procesi i integrimit evropian ka pjesë të madhe të përgjegjësisë dhe roli i tij në aspektin koordinues dhe rrjedhimisht kur ke shumë institucione për të koordinuar duhet të ekzistojë një hierarki, duhet të ekzistojë dikush i cili thotë kjo dhe të bëhet në këtë formë edhe pikë. E brenda qeverisë për natyrë është vetëm një person i cili e bënë këtë, e ai është kryeministri, e jo ndonjë ministër i cili ministrin tjetër i cili duhet t’i jap urdhër është homolog, homologu homologut nuk mund t’i jap urdhra”, thotë ai.

Ai thotë se procesi i integrimit për natyrën e tij është proces i cili kërkon reformë, urdhra dhe zbatim të atyre në përpikëri, e edhe raportim.

“Po të shkojë përpara kjo ide, me krijimin e distancës që do të shkaktojë mes kryeministrit dhe procesit të integrimit do të shkaktojë pasoja në tërë procesin integrues sepse po u bashkua procesi integrimit me Ministrinë e Jashtme kjo ‘de facto’ i bie që përgjegjësia është larguar prej kryeministrit”, thotë ai.

Një praktikë të tillë, bashkimin e Integrimeve me Punë të Jashtme, e kanë aplikuar edhe qeveria në Shqipëri e Mal të Zi, e që sipas drejtorit të Institut Epik, ka dalë të jetë proces i pasuksesshëm.

Sipas tij, këtë veprim, politikanët e kanë si zgjidhje të shpejtë ku Integrimi dhe Evropa kanë diçka të përbashkët me Punë të Jashtme, që sipas tij është aq e paqëndrueshme andaj gjithsesi do të dalë dështim.