19:04 / E Diele, 23 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Shkuarja e Kurtit në këmbë në punë/Sociologu kosovar: S’jemi mësuar të shohim siç ndodhë në vendet e zhvilluara!

Derisa një nga gratë  më të fuqishme në botë, kancelarja Angela Merkel, blen në dyqane ushqime, madje pret në rend për ta kryer pagesën, kur një zyrtar i qeverisë në vendin tonë shkon në punë në këmbë, kjo bëhet lajm brenda ditës.

Madje, sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u fotografua dhe fotografitë e tij bën bujë gjithandej, në të cilat ai po përshëndetej me qytetarë rrugës duke shkuar në punë në këmbë, shkruan Indeksonline.

Ishte vet kryeministri që këto fotografi i publikoi në Instagram, ku kreu i qeverisë tregonte se sot kishte shkuar në këmbë nëpër qytet në zyrë pa makinë, ani pse mesazhi i tij ishte për të vetëdijesuar qytetarët që ta ruajmë ambientin dhe t’i shmangemi lëvizjes me automjet, sociologu kosovar, Besim Gollopeni thotë se ky gjest i Kurtit u komentua shumë sepse qytetarët s’janë mësuar me zyrtarë që ecin.

“Mësimi i qytetarëve për të parë politikanët në xhipa dhe larg kontaktit me qytetarët, vjen momenti kur ata shohin një Kryeministër të Kosovës duke ecur dhe duke përshëndetur qytetarët e tij, jo vetëm që tërheq vëmendjen e të gjithëve, por edhe bëhet krye lajm në vend! Pse?

Sepse ata nuk janë mësuar të shohin zyrtarë të lartë të shtetit që ecin dhe përshëndesin qytetarët siç ndodh zakonisht në vendet e zhvilluara. Kjo dëshmon se sa larg jemi nga vendet e zhvilluara …! Një sugjerim për Qeverinë e Kosovës;

– Të ndaloj “abuzimin” me vetura zyrtare jasht orarit të punës të gjithë zyrtarëve të shtetit”, ka shkruar sociologu në llogarinë Facebook./Indeksonline