75 Mall Live Search
09:01 / E Shtunë, 07 Mars 2026 / F.R

Shkuarja në zgjedhje të reja, Grenell: Zoti po na përgatit për kthimin e Thaçit

Ish-emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, ka përshëndetur dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe rrjedhimisht çuarjen e vendit në zgjedhje të reja.

Në një postim në X, ai ka thënë se ky është lajm i mirë dhe se “Zoti po na përgatit për kthimin e Hashim Thaçit”.

“Thaçi për kryeministër”, shkroi Grenell.

Të enjten mbrëma, dështoi zgjedhja e presidentit të ri të vendit pasi në seancën e mbajtur në orët e vona, nuk pati kuorum për të vazhduar me votim.

Rrjedhimisht, të premten në mëngjes, Presidentja Osmani njoftoi se ka dekretuar vendimin për shpërndarjen e Parlamentit dhe çuarjen e vendit në zgjedhje.

Vendimi i Osmanit po kundërshtohet nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila po thotë se ka afat 60-ditor deri në ezaurimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit, dhe ka paralajmëruar se do ta dërgojë dekretin në Kushtetuese për interpretim.

Rasti i Thaçit në Speciale

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve tjerë të UÇK-së në Gjykatën Speciale ka mbërritur në pikën e fundit, ku janë dëgjuar të gjithë dëshmitarët e prokurorisë dhe ata të mbrojtjes. Po ashtu, fjalët përmbyllëse i kanë dhënë edhe vetë të akuzuarit.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë. Nga Gjykata në Hagë më herët kanë treguar se gjykatësit mund të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit edhe për dy muaj, dhe në raste të jashtëzakonshme edhe më gjatë.