13:16 / E Hënë, 12 Mars 2018 / indeksADMonline

Shkup, gazetarët në protestë: Stop kërcënimeve! (Foto/Video)

Dhjetëra gazetarë e punonjës të mediave të mbështetur nga një grup qytetarësh janë duke protestuar para Qeverisë së Maqedonisë kundër kërcënimeve dhe fyerjeve që siç thonë ata iu bëhet gjatë ushtrimit të profesionit.

Nën moton “Stop kërcënimeve” e  “Liri për mediat – jo për kriminelët”, protestuesit dënuan ashpër kërcënimet e funksionarëve qeveritar ndaj gazetarëve dhe kërkuan nga autoritetet të ndërmarrin masa për të zbardhur rastin, raporton Indeksonline.

Kryetari i shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë Naser Selmani, para të pranishmëve tha se pavarësisht kërcënimeve nga funksionarë të ndryshëm ai nuk do të heshtë.

“Kam pasur kërcënime nga më të ndryshme edhe nga regjimi Nikolla Gruevski madje disa herë por unë nuk u ndala. Ju inkurajoj edhe juve kolegë që të mos ndaleni. Ata që kërcënojnë, ata kriminel vendin e kanë në burg”, tha Selmani.

Në mbështetje të gazetarëve dolën edhe nga Qeveria. Përfaqësues i Qeverisë në emër të koalicionit qeveritar para protestuesve tha se qeveria e mbështet dhe dënon ashpër fyerjet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mediave.

Disa ditë më parë funksionar i lartë i BDI-së gjatë një interviste për mediat maqedonase e fyeu rëndë kreun e shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmanin duke quajtur atë “kopil”./Indeksonline/