Shmanget tragjedia, dy aeroplanë për pak sa nuk u përplasen mbi aeroportin e Shkupit
Autoriteti i aviacionit i Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se ka nisur hetimet sipas pretendimeve se dy aeroplanë pasagjerësh për pak u përplasën mbi Shkup, më 7 shtator.
Sipas faqes për gjurmimin e fluturimeve “Flightradar24”, aeroplani i “Turkish Airlines” dhe aeroplani turko-gjerman “Sunexpress” pothuajse u përplasën në qiell mbi Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, më 7 shtator në orën 18:32.
Aeroplani i “Turkish Airlines” po shkonte nga Madridi në Stamboll, ndërsa aeroplani “Sunexpress” po shkonte nga aeroporti bregdetar turk Dalaman në aeroportin “Gatwick” në Londër.
Sipas “Flightradar24”, siç raporton sdk.mk, 30 sekonda para se të dy aeroplanët të kalonin njëri-tjetrin, po fluturonin në lartësi të njëjtë prej 11 mijë metrash.