19:03 / E Mërkurë, 03 Qershor 2020 / indeksADMonline

Shoqata e agjentëve: Lojtarët që u skadon kontrata në fund të qershorit, mund të refuzojnë të luajnë

Pasi ka miratuar kalendarin e ndeshjeve të mbetura të sezonit 2019-2020, Federata Italiane tashmë do të duhet të përballet me një tjetër problem, që është pikërisht ai i lojtarëve të cilëve u përfundon kontrata më 30 qershor.

Drejtuesi i Shoqatës së menaxherëve të futbollistëve, Beppe Galli deklaroi se të gjithë lojtarët, të cilëve u përfundon kontrata më 30 qershor, kanë të gjithë të drejtën të refuzojnë të luajnë pas kësaj date.

Në një intervistë të dhënë për mediat italiane, Galli u shpreh se deri tani Federata ka injoruar thirrjet e agjentëve për takim, ndërkohë që ka bërë thirrje për një marrëveshje, që do të mund të zbatohej për të gjithë lojtarët.

“Kemi kërkuar takime, por Federata na ka injoruar deri tani, duke harruar që futbollistët mbrohen pikërisht nga ne menaxherët. Lojtarët në skadencë kontrate kanë të gjithë të drejtën të refuzojnë të luajnë pas 30 qershorit, ndaj duhet një marrëveshje për këtë. Sa u përket futbollistëve që duhet të rikthehen në skuadrën që ka pronësinë e tyre pas kësaj date, mund ta bëjnë vetëm për t’u stërvitur, pasi nuk mund të aktivizohen pa përfunduar aktivitetet e sezonit 2019-2020. I njëjti rregull vlen edhe për blerjet e reja, si Rrahmani e Petagna, të cilët bëhen lojtarë të Napolit që prej 1 korrikut. Mendoj se është mirë të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për këtë çështje”, u shpreh Galli.