17:04 / E Enjte, 09 Dhjetor 2021 / MSH

Shoqata e Bankave të Kosovës organizon Konventën e Shoqatës së Bankave të Kosovës

Shoqata e Bankave të Kosovës organizoi Konventën Vjetore të Shoqatës së Bankave të Kosovës – 2021. Konventa  bankare mblodhi komunitetin bankar, që veprojnë dhe kontribuojnë në zhvillimin e sektorit bankar në Kosovë, për të diskutuar për temën: “Financimi i Qëndrueshëm: Standardet Mjedisore, Sociale dhe Qeverisëse për Financim të Qëndrueshëm në Kosovë”.

Financimi i qëndrueshëm synon integrimin e kritereve mjedisore, sociale dhe të qeverisjes së mirë (ESG) në shërbimet financiare dhe në mbështetjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Sektori bankar në Kosovë, si një nga shtyllat më të rëndësishme të stabilitetit financiar të vendit është duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit dhe transparencës së akterëve financiarë, ndërmarrjeve të biznesit dhe autoriteteve shtetërore për nevojën për të miratuar kriteret e nevojshme për një Kosovë më të gjelbër dhe një ekonomi më të qëndrueshme.

Fjalën e mirëseardhjes në Konventën e Shoqatës së Bankave të Kosovës e mbajti Petrit Balija, Kryeshef Ekzekutiv, SHBK, i cili tha se përveç kontributit primar në rimëkëmbjen ekonomike, sektori bankar po vazhdon të jap një kontribut të çmuar në mbështetje të kauzave të ndryshme të shoqërisë në mënyrë vullnetare përmes donacioneve dhe aktiviteteve të shumta të përgjegjësisë sociale.

Për të adresuar sfidat e reja globale të cilat ndikojnë edhe ne Kosove, sektori bankar ka vënë në prioritet edhe një temë të rëndësishme siç është edhe vet tema e përzgjedhur për këtë vit, respektivisht “Financimi i Qëndrueshëm, kriteret ambientale, sociale dhe qeverisëse për një financim të qëndrueshëm në Kosovë”.

Hapjen e punimeve të Konventës e bëri Albert Lumezi, Kryetar i Bordit të Drejtorëve, SHBK dhe Kryetar i Bordit Udhëheqës, NLB Banka.

“Për ne, si sektor bankar, viti që po e lëmë pas paraqet një vit ku ne jemi përkushtuar me të gjitha mundësitë tona që të mbështesim klientët e bankave që të rigjallërojnë bizneset e tyre dhe të rikuperojnë dëmet të
cilat viti paraprak kishte shkaktuar në shumë sektorë të ekonomisë. Përmes Shoqatës së Bankave dhe në bashkëpunim me institucionet e vendit, ne bashkëpunuam në shumë iniciativa të dobishme të cilat kishin për qëllim ofrimin e mbështetjes financiare si për ndërmarrjet afariste, ashtu edhe për ekonomitë familjare. Prandaj, bankat në Kosovë, duke qenë pjesë e grupeve të mirënjohura ndërkombëtare janë pjesë përbërëse të institucioneve që kanë nënshkruar parimet e marrëveshjes së Parisit prandaj, ne besojmë se edhe Kosova mund të përfitojë shumë nga kjo axhendë”, tha ai.

Tutje, Fjalimi Kryesor i Konventës vjetore bankare u mbajt nga Sokol Havolli, Zëvendës Guvernator në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës i cili e vlerësoi lartë kontributin që sektori bankar e ka dhënë në zhvillimin ekonomik të vendit si dhe për vëmendjen e veçantë që është duke ia përkushtuar respektimit të kritereve ambientale, shoqërore dhe të qeverisjes korporative. Ai informoi të pranishmit edhe për hapat që Banka Qendrore i ka ndërmarrë sa i përket financimit të qëndrueshëm dhe inkurajoj të pranishmit që kjo punë të vazhdoj më fuqishëm dhe të jetë në kontekst afatgjatë.

Në Konventë u prezantuan trendet dhe zhvillimet e fundit me temë “Financimi i Qëndrueshëm” nga eksperti Boris Janjalia, zyrtari i Qeverisjes Korporative nga IFC.

Gjatë pjesës së dytë të Konventës Vjetore pjesë e diskutimit në panel ishin:
Suat Bakkal (Udhëheqës i panelit) Zëvendës Kryetar i Bordit të Drejtorëve, SHBK; Kryeshef Ekzekutiv, Banka Kombëtare Tregtare;
Cornelia Schneider, Zyrtare e Lartë për Koordinim në UNDCO/Ekonomiste; Eriola Bibolli, Anëtare e Bordit të Drejtorëve, SHBK, Drejtore Gjenerale në ProCredit Bank Kosovë;
Ilir Kapiti, Zëvendës Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, Republika e Kosovës;
Joshua Mike, Drejtor, Zyra për Rritje Ekonomike, USAID; dhe
Massimiliano Paolucci – Menaxher për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Banka Botërore.