14:21 / E Enjte, 22 Mars 2018 / indeksADMonline

Shoqata e fermerëve të qumështit reagon për vajin e palmës

Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit ka shprehur shqetësim të madh lidhur me informatat se Vaji i Palmës dhe produktet me yndyra bimore të cilat po shiten si produkte të qumështit po vazhdojnë të importohen dhe prodhohen ne Kosovë pa asnjë pengesë.

Shoqata përmes një komunikatë dërguar mediave, ka vlerësuar se deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë e cila do ta lehtësonte këtë gjendje.

“Edhe pse kishim shpresa të mëdha se MTI dhe AUV do të ndërmarrin masa kundër këtyre prodhimeve deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë e cila do ta lehtësonte gjendjen e rëndë në të cilën ndodhemi ne tash e shumë vite. Ne duam ta njoftojmë opinionin se distancohemi plotësisht nga kërkesat që i janë adresuar MTI për mos ndërmarrjen e masave mbrojtëse nga disa përpunues të papërgjegjshëm të qumështit”, thuhet në njoftimin e shoqatës së fermerëve të Kosovës.

Kjo shoqatë u kërkon institucioneve që sa më shpejt të merren masa për t’i mbrojtur prodhuesit vendor të qumështit.

“Të ashtuquajturat qumështore vendore që përdorin yndyra bimore në prodhimet e tyre janë duke i dëmtuar prodhuesit serioz të qumështit njësoj sikurse prodhimet e importit, prandaj kërkojmë që sa më parë të ndalohen këto prodhime. Sezoni i verës po afrohet dhe ne jemi shumë të shqetësuar se qumështoret e Kosovës do të fillojnë të na reduktojnë qumështin sikurse viteve të kaluara. Ne nuk do të kemi asnjë mundësi mbijetese në qoftë se do të ketë reduktime të qumështit sikurse viteve të kaluara”, përfundon komunikata.