75 Mall Live Search
12:40 / E Premte, 13 Mars 2020 / indeksADMonline

Shoqata e Mullisëve ia konfirmon Mustafës: Furnizimi me miell është i qëndrueshëm, s’ka nevojë për rritje çmimesh

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka pritur sot përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, për të diskutuar mbi rritjen e çmimit të miellit të raportuar  nga qytetarët gjatë kësaj jave dhe masat që duhen ndërmarrë bashkërisht që kjo të mos ndodhë, thuhet në komunikatën e lëshuar për medie.

Nga takimi i zhvilluar midis tyre, përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve kanë njoftuar ministrin Mustafa se gjendja e stoqeve me grurë të destinuar për blojë në Kosovë dhe rajon është e qëndrueshme, andaj nuk ka asnjë arsye, deri tani, që çmimet e miellit të prodhuar në Kosovë të rriten.

Siç njoftuan përfaqësuesit e mullisëve, prodhuesit kosovarë të miellit nuk kanë rritur çmimet e miellit, por  se “ka informacione se ky çmim mund të jetë rritur kryesisht nga tregtarët e vegjël”.

 “Ministri Mustafa kërkoi të ketë koordinim të plotë midis MBPZHR-së dhe prodhuesve të miellit që të sigurojnë qytetarët e Kosovës se nuk do të ketë keqpërdorime të situatës së krijuar si pasojë e pandemisë COVID-19”, thekson komunikata.