75 Mall Live Search
13:31 / E Premte, 08 Gusht 2025 / S Z

Shoqëria civile e shqetësuar që Specialja pranoi prova nga Serbia

Një grup studiuesish dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë kanë shprehur shqetësim publik lidhur me vendimin e fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës për të pranuar si prova dokumente të dërguara nga autoritetet shtetërore të Serbisë në çështjen “Thaçi dhe të tjerët”.

Në një reagim të përbashkët, ata theksojnë se ky vendim, ndonëse mund të jetë ligjërisht i mundur sipas nenit 37(1) të Ligjit Nr. 05/L-053, ngre “shqetësime serioze” në lidhje me mungesën e verifikimit dhe kontrollit mbi burimin dhe autenticitetin e këtyre dokumenteve.

“Dokumentet në fjalë nuk janë të mbështetura me dëshmi të dëshmitarëve apo prova të tjera dokumentare, ndërkohë që burimi i tyre – institucionet shtetërore të Serbisë është problematik për shkak të së kaluarës së dokumentuar në krime kundër shqiptarëve të Kosovës”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, prania e materialeve të tilla në një proces gjyqësor që zhvillohet në emër të drejtësisë ndërkombëtare, rrezikon të minojë besimin e publikut në paanshmërinë dhe integritetin e Dhomave të Specializuara. Ata theksojnë se Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka dëshmuar përfshirjen e organeve shtetërore serbe në krime lufte dhe spastrim etnik gjatë viteve ’90-të.

“Legjitimiteti i këtij procesi nuk duhet të bazohet vetëm në përmbushjen formale të rregullave, por në përmbushjen e standardeve të paanshmërisë që kërkohen nga qytetarët e Kosovës”, thuhet më tej në reagim.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkojnë rishqyrtim të ligjeve dhe procedurave aktuale për të siguruar që proceset gjyqësore të jenë të drejtë, të paanshme dhe të transparenta. Ata ftojnë institucionet relevante, përfshirë Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, si edhe vetë Dhomat e Specializuara, të përfshihen në një proces reformash që synon forcimin e besimit publik.

“Shoqëria civile ka një rol të pazëvendësueshëm në proceset e drejtësisë tranzicionale dhe Kosova duhet ta respektojë këtë rol duke garantuar që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe merret parasysh”, përfundon reagimi.