Shoqëria civile kërkon zhbllokimin e Kuvendit

Gati pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Kosovës mbetet ende i pakonstituuar dhe si rrjedhojë nuk ka as krijim të qeverisë së re, gjë që ka shkaktuar një vakum institucional serioz.
Në një reagim të përbashkët, një grup organizatash të shoqërisë civile kanë ngritur alarmin mbi pasojat e bllokadës dhe kanë kërkuar urgjentisht zgjidhje.
Në komunikatën e tyre, organizatat theksojnë se “Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë përfaqësues dhe bazamenti i demokracisë parlamentare. Përmes tij, themelohen institucionet e tjera të vendit dhe garantohen parimet kushtetuese të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve”.
Sipas tyre, mungesa e konstituimit ka penguar miratimin e ligjeve, mbikëqyrjen demokratike të Qeverisë dhe trajtimin e çështjeve urgjente që prekin jetën e qytetarëve.
52 organizata të shoqërisë civile e kanë përshëndetur Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 26 qershor, duke e cilësuar si “një ndërhyrje të domosdoshme për të adresuar paqartësitë procedurale dhe për të përcaktuar qartë kufijtë kushtetues dhe rregullat e konstituimit të Kuvendit”.
Sipas këtij aktgjykimi “partia fituese e zgjedhjeve ka të drejtë të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, por kjo e drejtë nuk është absolute – ajo është e lidhur ngushtë me detyrimin për të ndërtuar shumicë përmes bashkëpunimit me grupet tjera parlamentare.” Ky sqarim, sipas organizatave, duhet të shërbejë si udhërrëfyes për përmbylljen e një procesi të mbetur pezull për shkak të mungesës së vullnetit politik për konsensus.
Reagimi ngre shqetësim edhe për rolin e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, duke theksuar se “me veprimet e tij, z. Dehari nuk ka qenë një lehtësues i procesit demokratik, por është shndërruar në instrument të bllokadës”. Sipas komunikatës së këtyre organizatave “ai ka devijuar nga rendi i dakorduar, ka shtyrë procedurat, ka propozuar një komision për votim të fshehtë pa bazë ligjore dhe ka lejuar përbërjen e tij pa përfaqësim adekuat të partive të tjera parlamentare”.
Ky devijim, thuhet më tej, në komunikatë “është një ndërhyrje e papranueshme në procedurën e konstituimit të Kuvendit” dhe përbën “shkelje të parimit të përfaqësimit të drejtë parlamentar, duke e shndërruar këtë proces në një veprim njëpartiak dhe jo-konsensual”.
Organizatat e shoqërisë civile tutje theksojnë se “përpjekja për të imponuar një votim të fshehtë përmes mjeteve të njëanshme është precedent i papranueshëm dhe cenues i integritetit të procesit”.
Sipas organizatave, krahasimi me votimin për nënkryetarët është “i pabazë”, pasi zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit kërkon marrëveshje dhe konsensus politik.
Gjykata Kushtetuese, sipas reagimit të organizatave, ka theksuar se Kuvendi duhet të përmbyllë procesin e konstituimit brenda afatit 30-ditor dhe votimi për kryetar të jetë i hapur, në përputhje me traditën parlamentare.
Sipas reagimit të organizatave të shoqërisë civile “më datë 28 qershor 2025, në vazhdimin e seancës konstituive, u shkel qartazi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”. Organizatat akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje për “zvarritje të qëllimshme të procesit për të imponuar një zgjidhje të njëanshme – veprim ky drejtpërdrejt kundërkushtetues.”
Në përmbyllje të komunikatës, organizatat e shoqërisë civile u bëjnë thirrje të gjitha partive politike – e në veçanti partisë fituese – që të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese. “Kuvendi nuk është pronë e askujt. Ai nuk mund të mbahet peng nga vullneti i një subjekti të vetëm politik. Demokracia kërkon funksionim, respekt të procedurave dhe vullnet për kompromis”, thuhet në komunikatë.