Shoqëria Civile propozoi platformë dialogu për zhbllokimin e kuvendit: Kurti nuk ka dhënë përgjigje

Shoqëria civile është takuar me të gjitha partitë politike në vend dhe u ka propozuar një platformë për dialog, me qëllim të zhbllokimit të situatës politike dhe konstituimit të kuvendit, mirëpo kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk ka dhënë përgjigje për pjesëmarrje në këtë tryezë, ka deklaruar drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu.
“Në kuadër të kësaj, ne si shoqëri civile, përveç takimeve që kemi bërë në protestë, kemi pasur takime me të gjitha subjektet e partive në Kosovë, me liderët e tyre. Në kuadër të këtyre takimeve kemi zhvilluar idetë tona mbi pasojat që vijnë në Kosovë si pasojë e mosfunksionimit të Kuvendit të Kosovës. Kemi dëgjuar alternativat e liderëve të partive politike dhe kemi ofruar një platformë të shoqërisë civile për një dialog i cili do të kontribuonte në zhbllokimin e situatës politike. Ne tani nuk kemi një përgjigje nga Kurti për të qenë pjesë e kësaj tryeze. Ne do të vazhdojmë me aktivitetet tona”, tha Kryeziu.
Ai theksoi se bllokada aktuale po pengon funksionimin e institucioneve dhe po e lë vendin pa një qeveri legjitime, ndërsa shoqëria civile do të vazhdojë të ushtrojë presion publik dhe të kërkojë llogaridhënie nga përfaqësuesit politikë.
“Shoqëria civile vazhdon me aktivitetet e saj për të ushtruar presion publik, për të kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie nga të zgjedhurit tanë, të cilët me zhvillimet e tyre politike kanë bllokuar konstituimin e kuvendit. Kjo i shërben edhe mungesës së një qeverie legjitime”, tha ai.



