75 Mall Live Search
20:04 / E Shtunë, 27 Prill 2019 / indeksADMonline

Shoqëria civile skeptike për avokatët e grave të kthyera nga Siria

Grave të kthyera nga Siria, shteti i Kosovës iu ka ofruar mbrojtje juridike. Mirëpo, disa nga avokatet e caktuara një rast si ky nuk kanë pasur më herët. Kjo gjë po e shqetëson shoqërinë civile, të cilët thonë se rastet e rënda si kjo duhet të merren përsipër nga avokatët me më përvojë.

Gratë e kthyera nga lufta në Siri do dalin të përballen me drejtësinë. E meqë rasti është i ndjeshëm dhe i pari i këtij lloji në Kosovë shteti i ka siguruar atyre mbrojtje juridike.

Janë tridhjetë e një avokate gra që do i mbrojnë tridhjetë e dy gratë e kthyera nga lufta në Siri.

Sipas Ligjeve në fuqi, Oda e Avokatëve të Kosovës ka caktuar mbrojte sipas detyrës zyrtare me kërkesë të policisë.

E sipas pamjeve në terren shumica e këtyre avokatëve janë në moshë të re.

Televizioni ka kontaktuar me disa prej avokatëve, sipas tyre, ato edhe më herët kishin raste gati të këtij kalibri.

Por për disa kjo është hera e parë që po ndeshen me këto raste.

Krejt kjo shihet si shqetësuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ata thonë se mbrojtja e këtyre grave duhet të jetë efektive.

Ky institut thotë se kishin reaguar në lë lidhje me vendimin që Ministria e Drejtësisë e kishte dërguar në qeveri, i cili më pas ishte anuluar, pra ishte penguar caktimi i një ligji i cili do mundësonte caktimin e avokatëve me përvojë për raste të rënda.

Në Odën e Avokatëve thonë se puna po bëhet me profesionalizëm nga avokatet ani pse tregojnë se përzgjedhja e tyre nuk ishte e lehtë.

Në anën tjetër sipas rregullores së Odës së Avokatëve, për të qenë në mbrojtje të këtyre palëve duhet një përvojë tri vjeçare.

Ndërkohë sipas një udhëzimi administrativ për mbrojtjen me shpenzimet publike, avokati nuk mund të ketë pagesë më shumë se pesëqind euro në muaj duke përfshirë angazhimin në të gjitha gjykatat e Kosovës. /Indeksonline/