75 Mall Live Search
15:04 / E Mërkurë, 23 Nëntor 2022 / k.v

Shoqëria civile: Ulja e pagave rrit potencialin korruptiv në drejtësi

Organizatat e Shoqërisë Civile kanë reaguar ashpër pas vendimit qeveritar që të ulen pagat për gjyqtarët e prokurorët.

Gjashtë organizata e nënshkruara në këtë reagim e kanë quajtur vendimin e qeverisë në kundërshtim me standardet kushtetuese dhe sipas tyre, janë përdorur fakte të pavërteta për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ata thonë se njëjtë kishin reaguar edhe në kohën kur më 2017-n ishin rritur pagat me vendim të qeverisë së asaj kohe të drejtuar nga Haradinaj.

Sipas tyre, përkundër faktit se shoqëria civile vazhdimisht ka theksuar se vendimi për ngritje të pagave ka qenë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjin, kushtetutshmëria e këtij vendimi është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Ky vendim nuk është shfuqizuar nga asnjë institucion tjetër, derisa nuk është konfirmuar as përgjegjësia penale për nxjerrjen e këtij vendimi. I njëjti po ashtu është reflektuar edhe në vendimin e Qeverisë të datës 12 shkurt 2020. Sa i përket vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese përkitazi me Ligjin Nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, Gjykata Kushtetuese në këtë rast ka nxjerrë vendim për shfuqizimin e këtij ligji. Kështu, çështja e pagave nuk është rregulluar me këtë ligj. Tutje, që nga koha e publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese përkitazi me këtë ligj e deri më sot, kanë kaluar mbi 2 vite e 4 muaj”.

Sipas tyre, në këtë mënyrë, përtej pretendimeve, ngritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve tanimë është konfirmuar në rrugë institucionale. Kështu thuhet në reagim, përtej kualifikimit formal, vendimi i sotëm i Qeverisë paraqet ulje të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Vendimi i Qeverisë për ngritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vendim ky i nxjerrë si nga qeveria Haradinaj ashtu edhe nga qeveria Kurti, tanimë ka krijuar pritje legjitime për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e pagave të tyre tanimë është konfirmuar. Vendimi i sotëm i Qeverisë, me arsyetimin e nxjerrjes së aktgjykimit për Ligjin Nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, i cili aktgjykim është nxjerrë para 2 vite e 4 muajve qartazi cenon pritjet legjitime të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet tutje në reagim.

Sipas tyre, Komisioni i Venecias ka përcaktuar standardet se ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është e lejuar, përjashtimisht rasteve shumë specifike, të cilat nuk paraqiten në situatën konkrete.

“Përgjigjet e Komisionit të Venecias ishin se:“Ulja e pagave të gjyqësorit mund të ndodhë vetëm nën kushte të një krize të theksuar ekonomike dhe financiare dhe e cila për më tepër duhet të jetë e njohur zyrtarisht si të tillë” dhe se “Pavarësia gjyqësore kërkon një shkallë themelore të sigurisë financiare nga ndërhyrjet arbitrare nga ekzekutivi ose degët e tjera të pushtetit”.

Për këto, sipas këtyre gjashtë organizatave, vendimi i Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve paraqet qartazi ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe është në kundërshtim me standardet e ndërtuara nga Komisioni i Venecias.

“Për më tepër, sa ishte në opozitë, vet Lëvizja Vetëvendosje në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese kishte theksuar se “…ulja dhe rritja e pagave, është kompetencë e Kuvendit të Republikës së Kosovës…”.

Tutje, në këtë reagim organizatat: Columbus, Çohu, GSJP, Iniciativa për Progres, IKD dhe Lëvizja Fol vlerësojnë se ky vendim i Qeverisë ngrit potencialin korruptiv në sistemin e drejtësisë, andaj i kanë kërkuar Qeverisë që urgjentisht ta anulojnë vendimin.