75 Mall Live Search
19:55 / E Premte, 01 Prill 2022 / MSH

Shorti i Kupës së Botës/Zvicër-Serbi dhe Spanjë-Gjermani dy përballjet më interesante të fazës së grupeve

Sot në qytetin e Dohas të Katarit, respektivisht në Qendrën e Ekzibicioneve dhe Konventave të Dohas, është mbajtur ceremonia e hedhjes së shortit për fazën e grupeve të Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Në këtë short u zbuluan 29 nga 32 pjesëmarrës që do të garojnë në Botëror, ndërsa procedurat e aprovuara nga Komiteti Organizativ i Garave të FIFA-s kanë bërë të ditur që deri tani janë kualifikuar 28 kombëtare të cilat ishin të shpërndara në katër vazo.

Kombëtarja e Katarit pasi që edhe është nikoqire e këtij Botërori është kualifikuar direkt, ku kjo gjë e pozicionoi atë në pozitën e parë në Grupin A.

Ndërkaq, pjesë e Vazos 1 janë kombëtaret të cilat renditen nga pozita e parë deri tek ajo e shtatë si kombëtaret më të mira në botë, kurse pjesë e Vazos 2 janë kombëtaret që zënë vendet nga pozita e tetë deri te ajo e 15.

Vazo 3 përmbante kombëtaret nga pozita e 16 deri te ajo e 23 në ranglistën e FIFA-s, kurse vazo e katërt do përfshinte kombëtaret e kualifikuara nga pozita e 24 deri te ajo e 28, plus tre vende që përfaqësojnë dy fituesit e “play-off-it” ndërkontinental dhe fituesin e mbetur të “play-off-it” të UEFA-s.

Të katër vazot u ndanë në tetë grupe (A, B, C, D, E, F, G, H), ku të gjitha këto grupe përmbajnë nga katër kombëtare.

Ndër grupet më interesante padyshim që do të jetë Grupi G, në të cilin do të kemi përballje mes Kombëtares së Zvicrës dhe asaj të Serbisë, ku Xhaka dhe Shaqiri do të kenë mundësi që ta bëjnë përsëri shqiponjën para skuadrës serbe, ndërsa të dyja këto kombëtare janë vendosur në një grup së bashku me Brazilin dhe Kamerunin.

Grup tjetër interesant do të jetë edhe Grupi B, në të cilin do të kemi përballje amerikano-angleze, respektivisht mes Amerikës dhe Anglisë, ku në po të njëjtin grup gjenden edhe Irani dhe fituesi i mbetur i “play-off-it” të UEFA-s.

Ylli argjentinas Lionel Messi ka mësuar kombëtaret me të cilat Argjentina do të përballet, ku kjo e fundit u pozicionua në Grupin C, së bashku me Arabinë Saudite, Meksikën dhe Poloninë.

Në anën tjetër, ylli portugez Cristiano Ronado pasi që siguroi një tjetër biletë drejt Botërorit, mësoi sot se kombëtarja e tij u vendos në Grupin H, grup ky në të cilin gjenden edhe Gana, Uruguai dhe Korea e Jugut.

Shortin e plotë të fazës së grupeve të Kampionatit Botërorë e gjeni më poshtë.