Shoshi: Me 42% të votave, Albin Kurti po mban peng vendin, po dëmton imazhin dhe të ardhmen e Kosovës

Ariana Musliu-Shoshi, deputete e PDK-së, ka komentuar deklaratën e Anu Prattipati, duke e cilësuar atë si një mesazh të qartë për situatën e institucioneve në Kosovë dhe pasojat e mungesës së funksionalizimit të tyre.
Sipas saj, në një kohë të trazuar globale me konflikte të shumta, përfshirë luftën në Ukrainë dhe ndikimet ruse e kineze në Ballkan, Kosova nuk mund të pretendojë të jetë një partner serioz pa institucione të forta.
“Deklarata e zonjës Anu Prattipati është një mesazh i qartë dhe i drejtpërdrejtë: Shtetet e Bashkuara nuk mund të mbështesin një vend që nuk arrin të ndërtojë dhe funksionalizojë institucionet e veta. Në një kohë kur bota po përballet me kriza dhe konflikte të shumta, përfshirë luftën në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe rritjen e ndikimit rus dhe kinez në Ballkan, është naive të mendohet se Kosova do të jetë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare pa qenë një partner serioz dhe funksional.”
Musliu-Shoshi për GazetaBlic thekson se mungesa e dialogut politik dhe përkeqësimi i marrëdhënieve me aleatët po dëmton imazhin e Kosovës dhe fajin kryesor e sheh te qeverisja e Albin Kurtit.
“Kosova sot nuk shihet si një aleat i besueshëm, pikërisht për shkak të mosfunksionimit të institucioneve, mungesës së dialogut politik të brendshëm dhe përkeqësimit të marrëdhënieve me aleatët tradicionalë. Për këtë situatë ka vetëm një fajtor: Albin Kurti. Gjatë qeverisjes së tij, ai ka ftohur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë, ka refuzuar bashkëpunimin dhe ka promovuar një logjikë përçarëse, jo ndërtuese.”
Ajo përfundon me një kritikë të fortë ndaj kryeministrit aktual, duke theksuar se me 42% të votave po mban peng vendin dhe dëmton perspektivën euroatlantike të Kosovës.
“Sot, me 42% të votave, Albin Kurti po mban peng vendin, duke dëmtuar seriozisht imazhin dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës. Partnerët tanë kërkojnë shtete me institucione të qëndrueshme, me lidership të përgjegjshëm dhe me vullnet për të qenë pjesë aktive e aleancave demokratike. Kosova ka humbur shumë terren, por nuk është vonë për ta rikthyer besimin dhe kjo kërkon ndryshim të qasjes dhe udhëheqje të re që i jep prioritet shtetit, e jo interesit personal politik.”