23:22 / E Martë, 02 Janar 2018 / indeksADMonline

“SHOTA” mbyll vitin me suksese e sfida, por edhe me plane për vitin 2018

Një nga institucionet më rëndësishme dhe më promovuese ndër dekada të kulturës dhe artit të vendit tonë, është Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”.

“Shota” edhe këtë vit qe tejet aktive me koncerte, festivale e pjesë e shumë eventeve. Ndërsa viti 2017 sipas drejtorit të këtij institucioni Shefqet Gjocaj, ishte tejet i suksesshëm. Ai për Indeksonline shpalos dhe numëron të arriturat, sfidat, por edhe planet për vitin 2018.

Si ishte viti 2017 për Ansamblin “Shota”?

Shefqet Gjocaj: Viti që lamë pas, mund të cilësohet si vit mjaft i suksesshëm për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”. Meqë politika e kishte fjalën kryesore gjatë gjithë 2017-tës, ne “të tjerët” gjithsesi ishim në plan të dytë dhe domosdoshmërish edhe hapësira ishte “e ngushtuar”, në masë të madhe. Gjithsesi AKKV “Shota” ka zbatuar planin e vet artistik dhe atë të punës, me prioritet, por dy projekte të planifikuara megjithatë kanë ngelur të parealizuara: Arkivi (për mungesë buxheti) dhe Shfaqja koreografike për Pajtimin e Gjaqeve, për të cilën ishte hapur konkurs publik (në mungesë të projekteve serioze që kanë aplikuar). Megjithatë realizimi i galerisë së veshjeve në ambientet e Ansamblit, vazhdimi traditës në mbajtjen e koncertit tradicional “T’i këndojmë Pranverës”, që këtë vit iu dedikua doajenit të Ansamblit z. Ismet Bogujevci, pjesëmarrja në dy festivale ndërkombëtare dhe tri të karakterit kombëtar; realizimi i koncertit madhështor kushtuar 28 Nëntorit, ditës së flamurit, ditëlindjes së komandantit Adem Jashari dhe 20 vjetorit të daljes në skenë të UCK-së dhe realizimi projekteve tjera më të vogla, na bëjnë të besojmë që ky institucion është në rrugë të mbarë për të arritur synimet dhe për t’u avancuar edhe më shumë në Institucionin më përfaqësues të Kosovës, në fushën e Kulturës.

Cili është suksesi më i madh që keni shënuar gjatë këtij viti?

Shefqet Gjocaj: Gjatë vitit 2017, vlen të veçohet sidomos pjesëmarrja e Ansamblit në dy festivale të mëdha ndërkombëtare, në Trabzon te Turqisë dhe Pllovdiv të Bullgarisë. Përderisa festivali i mbajtur në Trabzon (Korrik) ishte i karakterit garues, festivali në Pllovdiv kishte vetëm karakter revyal dhe përfaqësues. Nga Trabzoni, që organizonte edicionin e parë të festivalit ndërkombëtar, “Shota” është kthyer me katër kupa. Pra ka fituar vende nderi në secilën kategori garuese: Vendi i parë (muzika më e mirë), vendi i parë (veshja më e mirë), Vendi i dytë (përformanca e përgjithshme) dhe vendi i dytë (konkursi i vajzës më të bukur të festivalit). Ndërkaq nga Pllovdivi Ansambli është kthyer me vlerësimet më të larta të organizatorit dhe publikut dhe për këtë arsye organizatori është zotuar që të ftojë ansamblin tonë edhe në edicionin e vitit 2019, kur Pllovdivi do të jetë “Kryeqendër Evropiane e Kulturës”.

Çfarë mbetet sfidë për Ansamblin “Shota”?

Shefqet Gjocaj: Sfida kryesore për Ansamblin “Shota” mbetet kompletimi i infrastrukturës ligjore (amandamentimi i Ligjit të Ansamblit) dhe nxjerrja e rregulloreve të nevojshme. Kompletimi i TA të Ansamblit. Realizimi, më në fund, i projektit të Arkivit të Ansamblit dhe gjithsesi kategorizimi dhe ngritja e pagave të punëtorëve.

Cilat janë planet për vitin 2018?

Shefqet Gjocaj: Siç e dini viti 2018 është shpallur zyrtarisht “Vit i Skënderbeut”, më rastin 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Për këtë arsye Ansambli veç ka filluar kontaktet me krijues, për realizimin e një shfaqjeje koreografike për krye-heroin tonë kombëtar. Gjithashtu në vitin 2018 kemi edhe dy përvjetorë tjerë të rëndësishëm: 10 vjetori i Pavarësisë së Kosovës (17 Shkurt) dhe 20 vjetori i Epopesë së UÇK-së (5,6 dhe 7 Mars). Gjithsesi planifikojmë që gjatë këtij viti të realizojmë edhe shumë shfaqje tjera dhe të marrim pjesë në festivale të karakterit kombëtar dhe Ndërkombëtar. Të bashkëpunojmë me institucionet simotra nga Republika e Shqipërisë, në kuadër të “Kalendarit të përbashkët kulturor”. Shpresojmë shumë, për aq sa na lejon buxheti, që të marrim pjesë në festivale të rëndësishme të folklorit ne botë, dhe në kuadër të “diplomacisë kulturore” të vizitojmë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën. Sepse do të ishte shumë e rëndësishme që ne para botës të shpalosim vlerat e trashëgimisë sonë shpirtërore e materiale dhe traditën tonë, e cila do të ndihmonte shumë edhe diplomacinë kosovare përgjithësisht. Po ashtu mendojmë që gjatë vitit 2018 do të riaktivizojmë shkollën për vallëzim dhe instrumente popullore, për fëmijë. Planifikojmë po ashtu që gjatë vitit 2018 të realizojmë edhe një premtim që u kemi bërë abreshëve të “Horës…” për pjesëmarrje të Ansamblit në njërën nga festat e tyre tradicionale, për çka kemi marrë ftesa pothuajse për çdo vit, por që nuk i kemi realizuar, për shkaqe buxhetore.

Urimi për qytetarët…

Shefqet Gjocaj: Të gjithë shqiptarëve, kudo që janë ju uroj shëndet, mbarësi dhe dashuri në vitin 2018. Uroj gjithashtu që në botë të mbizotërojë paqja dhe dashuria në mes njerëzve. Uroj që të mos ketë lufta dhe katastrofa natyrore. Uroj që në vitin 2018, Politika të jetë ngjarje sporadike dhe në qendër të vëmendjes të jetë Arti, Kultura, Sporti, Ekonomia… Për shumë mote GEZUAR!