75 Mall Live Search
09:19 / E Mërkurë, 12 Nëntor 2025 / MSH

Shpallen në shitje vilat e sekuestruara nga kompania që mashtroi klientët në Çagllavicë

Në gusht të vitit të kaluar, Prokuroria Themelore në Prishtinë nisi hetimet ndaj kompanisë “IT Group sh.p.k/G&G Exclusive”, nën dyshimin se kishin kryer mashtrime dhe shmangie nga tatimi.

Kompania në fjalë dyshohet të ketë shmangur obligimet tatimore me ndërtimin e disa vilave të drurit, duke mashtruar disa klientë.

“Ndonëse kemi disa ankues, është ngritur dyshimi se numri i personave që dyshohet të jenë të mashtruar është më i madh, andaj me autorizim nga prokurori ftojmë të gjithë qytetarët që mund të jenë të mashtruar nga kompania në fjalë të  paraqiten ne stacionin me te afërt policor”, kishte deklaruar policia aso kohe.

IndeksOnline raporton se pas vlerësimit nga ana e institucioneve, vilat si prona janë sekuestruar nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar.

Vilat në dispozicion janë gjithsej 6, në dimensione dhe madhësi të ndryshme, të gjitha të disponueshme në zonën kadastrale në Çagllavicë.

Çmimi i vilave varion nga sipërfaqja në metra katrorë, përkatësisht mes 4 mijë dhe 11 mijë eurosh.

“Pasuritë e sekuestruara ose të konfiskuara në këtë procedurë shitjeje procedohen për shitje, me çmimin e lartcekur në gjendjen siç janë. Të drejt pjesëmarrjeje kanë të gjithë personat fizikë dhe juridikë. Personat juridikë të cilët marrin pjesë duhet që me vete të sjellin certifikatën e regjistrimit të biznesit, kurse personat fizikë kopjen e letërnjoftimit personal. Fitues do të jetë oferta e ofruar me çmimin më të lartë” thuhet në njoftimin e AAPSK-së.

Ankandi është shpallur sot, teksa ofertat e nënshkruara, të vulosura dhe të mbyllura në zarf duhet dorëzuar më së largu deri më 18 nëntor./IndeksOnline/