Shpallet konkurs për zgjedhjen e një anëtari jo prokuror
Komisioni i Posaçëm për Administrimin e Procesit të Përzgjedhjes së Anëtarëve Joprokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, mbajti të martën mbledhje në të cilën u diskutua për shpallen e konkursit për zgjedhjen e një anëtari joprokuror të KPK-së.
Pas diskutimit, Komisioni në përbërje të Albulena Haxhiut, kryetare dhe Lulzim Sylejmanit nga KPK, Gazmend Bahtiri nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Yll Buleshkaj nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, anëtarë, mori vendim për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e një anëtari jo prokuror të KPK-së më 27 shkurt 2026 në kohëzgjatje prej 20 ditësh nga dita e shpalljes.
Haxhiu tha se procesi do të jetë transparent dhe mund të monitorohet nga OJQ-të që merren me çështje të drejtësisë dhe mediat.
E para e Kuvendit inkurajoi gratë që të aplikojnë për këtë proces që ajo e quajti të rëndësishëm për Republikën.
“Zbatimi i reformës në Këshillin Prokurorial është jetik për forcimin e sundimit të ligjit dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Përkushtimi ynë për reforma të thella dhe të qëndrueshme vazhdon sepse sundimi i ligjit kërkon angazhim të përhershëm ndaj qytetarëve dhe shtetit tonë”, theksoi me këtë rast kryetarja Haxhiu.

