Shpejtim Bulliqi synon edhe një mandat si kryetar i Podujevës

Kryetari aktual i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, do të kandidojë sërish për kryetar të kësaj komune.
Edhe zyrtarisht, Bulliqi sot pranoi nominimin për kryetar të Podujevës, nga radhët e LVV-së, shkruan IndeksOnline.
“Dua t’i shpreh mirënjohjen time kryeministrit Albin Kurti për mbështetjen dhe besimin e vazhdueshëm. Po ashtu, falënderoj nga zemra të gjitha strukturat organizative të Lëvizjes Vetëvendosje!, aktivistët dhe anëtarët tanë të palodhshëm që çdo ditë kontribuojnë me vullnet, ide dhe përkushtim për të mirën e përbashkët”, u shpreh Bulliqi.
Ky është postimi i plotë i tij:
Me nderimin dhe përgjegjësinë më të madhe e pranova sot nominimin për kandidaturën time për edhe një mandat si Kryetar i Komunës së Podujevës.
Dua t’i shpreh mirënjohjen time Kryeministrit Albin Kurti për mbështetjen dhe besimin e vazhdueshëm. Po ashtu, falënderoj nga zemra të gjitha strukturat organizative të Lëvizjes Vetëvendosje!, aktivistët dhe anëtarët tanë të palodhshëm që çdo ditë kontribuojnë me vullnet, ide dhe përkushtim për të mirën e përbashkët.
Në këto pesë vjet të qeverisjes sonë kemi dëshmuar se me punë të madhe, me planifikim të duhur dhe me vullnet të jashtëzakonshëm, mund të ndryshojmë realitetin. Kemi sjellë investime të mëdha në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, mirëqenie sociale dhe zhvillim ekonomik. Kemi vendosur themele të forta për të ardhmen e komunës sonë.
Sot, me këtë nominim, nis një fazë e re e përgjegjësisë. Nuk është vetëm një konfirmim i besimit, por edhe një angazhim i ri për të çuar përpara projekte edhe më të mëdha, për të thelluar transformimin dhe për të ndërtuar një Podujevë moderne, gjithëpërfshirëse dhe të zhvilluar.
Zotohem para jush se do të vazhdoj të punoj me të njëjtin përkushtim dhe seriozitet, duke vënë gjithmonë interesin e qytetarëve në qendër të vendimmarrjes.
Ju faleminderit për besimin dhe përkrahjen!