75 Mall Live Search
13:35 / E Mërkurë, 04 Mars 2026 / P M

Shpërblehet për denoncim: Pacolli nderohet me mirënjohje nga UP-ja

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, është nderuar me mirënjohje nga rektori i Universiteti i Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, për kontributin në mbrojtjen e pronës së universitetit.

Vlerësimi vjen në një kohë kur Pacolli sapo ka marrë detyrën e ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Sipas njoftimit, Pacolli së bashku me këshilltarin e saj politik, Milazim Salijaj, janë vlerësuar për denoncimin në prokurorinë e shtetit të tjetërsimit të kundërligjshëm të një prone prej 68 arësh të Fakultetit Teknik.

Rasti ishte trajtuar fillimisht në Komisionin parlamentar për mjedis, pas një hulumtimi dhe raporti profesional, i cili më pas i ka shërbyer prokurorisë si bazë për hapjen e hetimeve.

Ky është postimi i plotë:

U shpërblyem sot me mirënjohje nga rektori i UP-së, prof. Arben Hajrullahu, si vlerësim për punën tonë dhe kontributin e dhënë në mbrojtjen e pronës publike në veçanti pronës së Universitetit të Prishtinës. Bashkë me këshilltarin tim politik, z. Milazim Salijaj, u shpërblyem për denoncimin në prokurinë e shtetit të tjetërsimit të kundërligjshëm të pronës së Fakultetit Teknik në sipërfaqe prej 68 arësh.

Trajtimi i rastit të tjetërsimit të pronës së Fakultetit Teknik është bërë në Komisionin parlamentar për mjedis të cilit i parapriu një hulumtim dhe raport i detajuar profesional. Raporti u bë një bazë e fuqishme për prokurorinë e cila tashmë ka hapur hetimet.

Nuk ka kënaqësi më të madhe se kur puna e nisur në Kuvend, sot vlerësohet nga institucioni më i lartë arsimor – Univesiteti i Prishtinës. Zotimi ynë mbetet i prerë, nuk do të ndalemi deri në rregullimin e plotë ligjor të çdo metri të kampusit universitar. Pronat e UP-së i takojnë dijes, jo interesave të ngushta!

Me rektorin u dakorduam që ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri, ku ekspertiza e Universitetit të Prishtinës dhe vizioni ynë do të ecin së bashku në proceset e ministrisë”.