15:25 / E Hënë, 03 Qershor 2019 / indeksADMonline

Shpërndahen pako të lodrave në pesë çerdhe publike në Gjilan

Komuna e Gjilanit dhe Klubi i Rotarianëve Gjilani, kanë bërë sot shpërndarjen e pakove me lodra për fëmijë në pesë çerdhet publike.

Në ceremoninë e shpërndarjes, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri e ka falënderuar këtë klub për aksionet dhe solidaritetin e treguar në vazhdimësi.

“Klubi i Rotarianëve Gjilani tashmë është i njohur për misionin dhe solidaritetin e tyre. Bashkëpunimi i Komunës me ta është për t’i dhënë dinamikë dhe mbështetje këtij solidariteti. Ky është njëri prej të programeve të shumta që ne i realizojmë bashkërisht. Ne i kemi edhe programet tjera të përbashkëta e që është mbështetja për zjarrfikësit me pajisje, sikurse edhe bursat për studentët”, tha Haziri.

“Unë apeloj tek ata që premtuan në mbrëmjen e fundit “Pak nga ne, shumë pë rata”, që t’i bëjnë realitet këto sepse jemi në prag të shpërndarjes së këtyre mjeteve për studentët”, shtoi ai.

Në emër të klubit ka folur dr. Lavdrim Devaja, i cili tha se kjo është edhe një dëshmi se projektet e mira mund të realizohen edhe pa mjete financiare, por vetëm me një vullnet dhe organizim të mirë.

Ndërsa, drejtoresha e institucionit parashkollor “Dardania”, Shqipe Kastrati-Haziri, u zotua se do të vazhdojnë me përkushtim të punojnë për realizimin e procesit edukativo arsimor qind për qind.