Shpërthejnë pakënaqësitë/ Lista Guxo garon ndaras nga Vetëvendosje në Ferizaj

Dega e Listës Guxo në Ferizaj ka vendosur në mbledhjen e së shtunës që në zgjedhjet lokale të 17 tetorit të garojë me listën e saj të kandidatëve për asamble ndaras nga Vetëvendosje.
Këtë për “Indeksonline”, e ka konfirmuar koordinatori i kësaj degë për Ferizaj dhe asamblisti në këtë komunë, Balton Derguti.
Ai thotë se nuk kanë asgjë kundër bashkëpunimit me VV-në, por që duan të figuroj emri edhe i listës Guxo në fletvotim.
“Ne kemi pas një mbledhje të shtunën dhe në atë mbledhje pas shumë diskutimeve kemi marrë vendim që të garojmë me subjektivitet tonin në zgjedhjet lokale. Ju e dini që deklaratat kanë qenë që Lista Guxo të jetë parti politike dhe meqenëse nuk u formu subjekti politik kemi vendos më shumicë votash ta formojmë një listë qytetare me emrin Guxo dhe të garojmë në zgjedhje lokale me listë të asamblistëve në emër të Listës Guxo. Ne nuk kemi përcaktuar a do të kemi kandidat për kryetar ose a do të mbështesim një nga kandidatët për kryetar të komunës”, ka thënë Derguti për “Indeksonline”.
Më tutje, ai ka thënë se do të regjistrohen si iniciative në KQZ dhe do të kandidojmë me subjektivitetin e tyre politikë.
Ai ka thënë se meqenëse Lista Guxo nuk ka organe drejtuesi, dhe as kryesi nuk kanë më kë të bisedojnë.
“Kemi vetëm disa ministra që janë zgjedhe falë nesh dhe ata po parapëlqejnë të shkojnë në zgjedhje lokale njëjtë si në nacionale, s’jemi kundër VV, por duam që në fletëvotim të figuroj edhe emri Guxo”, ka përfunduar ai./IndeksOnline/